Sami Kurteshi, anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka deklaruar se nuk ka njohuri që ndaj tij nga ana e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, është ushtruar aktakuzë për veprën penale “sulmi”.
“Jo, prej juve po nij, me gjasë qashtu shkon, krejt bota duhet me ni përpara sesa personi i cili është i prekur”, deklaroi Kurteshi.
Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Kurteshi akuzohet se më 25 gusht 2021, në selinë e KQZ-së, i ishte drejtuar të dëmtuarit Adnon Berisha me fjalët “djalo ku e ki maskën?” dhe pasi që i dëmtuari nuk përgjigjet atëherë Kurteshi e kapë për krahu atë duke e tërhequr dhe duke i bërtitur me fjalët “ec jashtë” dhe e shtynë nga mbrapa me dy duart.
Më pas, në këtë prononcim, Kurteshi tha se nuk mund të deklarohet për gjëra që janë të panjohura për të.
“Unë nuk mund të deklaroj dhe të deklarohem për gjëra të panjohura për mua”, shtoi Kurteshi.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Sami Kurteshi po akuzohet se më 25 gusht 2021 në selinë e Komisionit të Zgjedhjeve në Prishtinë, me dashje përdor forcën ndaj të dëmtuarit Adnon Berisha.
Aktakuza thotë derisa i dëmtuari Berisha ishte duke iu shërbyer me kafe dhe pa maskë të vendosur fillimisht i pandehuri i drejtohet me fjalët “djalo ku e ki maskën?” dhe pasi që i dëmtuari nuk përgjigjet atëherë i pandehuri Kurteshi e kap për krahu të dëmtuarin duke e tërhequr dhe duke i bërtitur me fjalët “ec jashtë” dhe e shtynë nga mbrapa me dy duart.
Me këtë, Kurteshi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Sulm” nga neni 184, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në një vit.
Aktakuzë ndaj Samit Kurteshit, ngarkohet se sulmoi të dëmtuarin në KQZ për mosbartje të maskës


