Në urimin për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka theksuar rëndësinë e kësaj dite si një moment që përmbyll sakrificën e madhe të brezave të kaluar dhe realizimin e kërkesës së popullit.
Ai pas kryerjes së homazheve në Prekaz në Kompleksin Memorial Adem Jashari, ka bërë thirrje për angazhim të mëtejshëm nga qytetarët për përmirësimin e vendit, duke theksuar se secili duhet të frymëzohet dhe të angazhohet për një Kosovë më të mirë.
Krasniqi ka shfrytëzuar rastin për të uruar miqtë dhe liderët e UÇK-së, të cilët po mbahen në Hagë, duke përmendur ish-presidentin Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe ish-deputetin Rexhep Selimi.
Ai ka uruar që ky të jetë viti i fundit kur Kosova feston Pavarësinë pa praninë e tyre.
“Ua uroj të gjithë qytetarëve të Kosovës kudo që janë, ditën e Pavarësisë, ditën e festës së secilit shqiptar. Kjo është një ditë e cila e ka përmbyllur sakrificën e madhe të gjeneratave duke realizuar kërkesën që e ka pasur populli ynë për dekada dhe secili prej nesh në këtë ditë duhet që të frymëzohet dhe të zotohet për të punuar më shumë për vendin tonë dhe për ta bërë Kosovën më të mirë.
Unë shfrytëzoj rastin që këtë ditë para së gjithash t’ua uroj miqve tanë, liderëve dhe udhëheqësve të UÇK-së që po mbahen padrejtësisht në Hagë duke filluar nga presidenti Hashim Thaçi, kryetari Kadri Vesli, kryetari Jakup Krasnqi dhe deputeti Rexhep Selimi dhe gjithë të tjerët me urimin që të jetë ky viti i fundit që shënojmë ditën e parësisë pa prezencën e tyre”, ka deklaruar Krasniqi para mediave.


