Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka shprehur urime me rastin e 54-vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, Krasniqi ka shkruar se e uron stafin akademik e studentët ndër breza, derisa vet universitetin e parë në Kosovë, e ka quajtur pjesë të historisë kombëtare.
“Me rastin e shënimit të 54 vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, kujtojmë me nderim të gjithë akademikët, profesorët dhe studentët ndër breza, që mbajtën mbi supe ngritjen dhe rrugëtimin e pakthyeshëm të këtij universiteti, i cili është pjesë e historisë sonë kombëtare, si dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në ngritjen e mëtejmë të tij. Po ashtu, uroj strukturat drejtuese të UP-së, profesorët dhe studentët aktualë, duke ju dëshiruar punë të mbarë e thellim të mëtejmë në reforma dhe avancim të universitetit”, ka shkruar Krasniqi.