Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se çdo vendimmarrje, çdo hyrje dhe dalje në secilin organ të Republikës së Kosovës ka rregulla dhe procedura të qarta, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.
“Andaj, lidhur me shkeljet procedurale në mbledhjet e kuvendeve të komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, bazuar në raportet e monitorimit të këtyre mbledhjeve, është konstatuar se kryetarët e komunave kanë propozuar në mënyrë të kundërligjshme pika shtesë për rendin e ditës gjatë mbledhjeve të kuvendit, me qëllim të daljes nga Asociacioni i Komunave të Kosovës”, ka shkruar ai në “Facebook”
Sipas tij, kjo praktikë bie ndesh me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale (neni 47.2), i cili përcakton se vetëm anëtarët e kuvendit kanë të drejtë të kërkojnë shtimin e pikave në rendin e ditës gjatë seancës, dhe atë vetëm për çështje urgjente me rëndësi publike. Ai tha se se çdo kërkesë për shtim të pikave duhet të votohet nga shumica e anëtarëve të kuvendit (neni 47.3).
“Në asnjë dispozitë ligjore nuk parashihet e drejta e Kryetarit të Komunës për të propozuar pika shtesë për rendin e ditës gjatë mbledhjes së kuvendit. Për më tepër, praktika e mosmiratimit të pikave shtesë si “pikë e veçantë”, por vetëm miratimi i rendit të ditës në tërësi, përbën shkelje procedurale, pasi propozimi fillestar vjen nga kryetari, si autoritet që nuk ka kompetencë ligjore për këtë veprim. Si rrjedhojë, pikat e propozuara në këtë mënyrë nuk kanë kaluar procedurë të ligjshme dhe konsiderohen të kundërligjshme, duke vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e vendimeve të marra mbi to”, tha ai.
Krasniqi vlerësoi se respektimi i procedurave ligjore nuk është formalitet, por garanci për funksionim demokratik, transparencë dhe sundim të ligjit në nivel lokal.
“Përtej aspektit procedural, përmes inicimit të kësaj çështjeje, Lista Serbe po dëshmon edhe një herë hapur se ka për synim nxitjen e ndasive ndërmjet komuniteteve, përçarjen, mosbesimin dhe tensionet, duke treguar mungesë gatishmërie për të bashkëpunuar me komunat e tjera në kuadër të Asociacionit. Komunitetet në Kosovë, pa dyshim, kanë interes që të integrohen dhe të bashkëpunojnë mes vete për zhvillim ekonomik, siguri, jetë të qetë dhe fuqizim të besimit reciprok në të gjitha fushat e shoqërisë, në përputhje me vlerat demokratike dhe proceset integruese drejt Bashkimit Evropian. Për fat të keq, Lista Serbe, përmes kësaj iniciative, edhe një herë po dëshmon se ka për objektiv përçimin e interesave të Serbisë në Kosovë për nxitje të përçarjeve, mosbesimit dhe tensioneve, e jo përfaqësimin e interesave të serbëve të Kosovës, integrimin dhe mirëqenien e tyre në shoqëri”, shkroi ai.


