Lajme

Krasniqi takon diplomaten amerikane: Kosova ka nevojë për një qeveri të re dhe stabile

02/19/2025 13:33
nga:N K

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, takoi të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës Amerikane në Kosovë, Anu Prattipati, për të diskutuar mbi zgjedhjet e 9 shkurtit dhe procesin e formimit të qeverisë.

Krasniqi ka theksuar nevojën për një qeveri të re dhe stabile dhe falënderoi ShBA-në për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës.

“Në vazhdën e takimeve me misionet diplomatike në Kosovë, sot pata kënaqësinë të pres në selinë e PDK-së të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën Amerikane, Anu Prattipati. Një diskutim i hapur dhe pozitiv mbi zgjedhjet e 9 shkurtit, respektimin e vullnetit qytetar dhe përmbylljen e procesit në mënyrë demokratike – ashtu siç e meriton Kosova.

PDK beson se vendi ka nevojë sa më shpejt për një qeveri të re, stabile dhe të përgjegjshme. Pavarësisht rrethanave politike, angazhimi ynë për të mirën e qytetarëve dhe forcimin e institucioneve të shtetit mbetet i palëkundur.

SHBA-ja ka qenë dhe mbetet partneri ynë strategjik. E falënderova zonjën Prattipati për mbështetjen e jashtëzakonshme që SHBA-ja i ka dhënë Kosovës në çdo hap të rrugëtimit të saj”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.