Lideri i PDK-së, Memli Krasniqi, ka pritur në takim përfaqësuesin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, raporton Gazeta Blic.
Përmes një postimi në Facebook, ai tha se Lajçak e informoi rreth zhvillimeve të fundit të dialogut dhe hapat që pritet të ndërmerren.
Krasniqi ka thënë se e ka njoftuar me qëndrimet e pandryshuara të PDK-së për dialogun, që duhet të përmbyllet me marrëveshje finale dhe njohje reciproke.
Postimi i plotë:
Mëngjesin e sotëm prita në takim Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.
Zotëri Lajčak më informoi rreth zhvillimeve të fundit në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe hapave të mëtutjeshëm që pritet të ndërmirren. Atë e njoftova me qëndrimet e pandryshuara të PDK-së për procesin e dialogut, i cili duhet të përmbyllet me marrëveshje finale dhe njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.



