Lajme

Krasniqi: Sot festojmë, por nuk harrojmë sakrificën e heronjve tanë të gjallë, të Thaçit e Veselit me shokë

11/28/2021 13:00
nga:Gazeta Blic

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka zgjedhur Lidhjen Shqiptare të Prizrenit për të vizituar në ditën e flamurit kombëtar nga ku ka uruar të gjithë shqiptarët për ditën e pavarësisë.

Krasniqi ka shkruar se nga ky vend do të niste rrugëtimi për mëkëmbjen e kombit tonë, në një valë përpjekjesh të mëdha e të mundimshme, përballë apetiteve territoriale e pushtuese të kohës.

“Sot nderojmë rilindasit, intelektualët, patriotët, çlirimtarët dhe të gjithë ata që kanë rënë në rrugën e lirisë. Sot festojmë, sepse 28 nëntori është festë e madhe e shumë dimensionale për ne. Festojmë por nuk harrojmë sakrificën e heronjve tanë të gjallë, Hashim Thaçit e Kadri Veselit me shokë, që padrejtësisht nuk janë në mesin tonë, të cilët sot po mbrojnë të vërtetën dhe dinjitetin e këtij rrugëtimi historik të popullit tonë për liri e pavarësi”, ka shkruar Krasniqi.