Lajme

Krasniqi – Qeverisë Kurti: Rezultat të dobët në luftim të korrupsionit – Kosova vazhdon të mbetet nivel i lartë!

01/26/2022 09:51
nga:Gazeta Blic

Albert Krasniqi nga “Demokracia Plus”, ka komentuar renditjen e Kosovës në Indeksin e përceptimit të korrupsionit të të Transparency International, raporton Gazeta Blic.

Krasniqi thotë se Kosova vazhdon të mbetet vend me nivel të lartë të korrupsionit, për shkak që këtë vit përparim është bërë për vetëm tre pikë.

Ai shton se ky është rezultat i dobët për një qeveri që vije në pushtet me platformën kundër-korrupsion.

Shkrimi i plotë:

Në Indeksin e perceptimit të korrupsionit të Transparency International, Kosova vazhdon të mbetet vend me nivel të lartë të korrupsionit. Këtë vit përparim është bërë për vetëm tre pikë. Qartësisht rezultat i dobët për një qeveri që vije në pushtet me platformën kundër-korrupsion. 39 pikë nga 100 sa është maksimumi për të qenë vend i pastër nga korrupsioni, nuk është sukses i papërjetuar më parë. Nuk mund të ndryshosh diagnozën e pacientit me rezultatet e njëjta të analizave!

Pa mohuar përparimin sado të pakët, raportimi vetëm për ngritje në ranglistë në krahasim me shtetet tjera është i gabuar, për të mos thënë manipulativ.

Teorikisht, mund të kesh më pak pikë dhe të jesh më lartë në listë pasi shtetet tjera janë më keq.

Rezultatet e Transparency International nuk duhet lexuar nga këndvështrimi i shoferit në një garë automobilistike që synon të renditet sa më lartë, por të një pacienti që kërkon shërimin. Në luftën ndaj korrupsionit, jemi në garë me vetveten!