Lajme

Krasniqi-Qeverisë: Duhet të jeni të pafytyrë ta sulmoni opozitën, po ta dëgjonte Kurti këshillën e Escobar, s’do të ishin këto probleme

11/06/2022 19:25
nga:G B

Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Milazim Krasniqi, ka kritikua qeverinë për sulmet ndaj opozitës lidhur me situatën në veri, derisa ka thënë se duhet të jesh shumë i pafytyrë që ta këtë, për të fshehur paaftësinë për krizën, raporton Gazeta Blic.

Ai ka pyetur se çfarë faji ka opozita nëse nuk mund ta zbatojnë vendimin për targat, nëse SHBA është e zhgënjyer me Kurtin, nëse SHBA dhe BE nuk po e përkrahin Kosovën për shkak të refuzimit të këshillave të tyre.

Krasniqi ka thënë se opozita i ka kërkuar qeverisë që ta dëgjojë këshillën e SHBA-ve dhe po ta dëgjonte Kurti këshillën e Escobar, nuk do të ishin këto probleme.

Postimi i tij i plotë:

Duhet të jesh shumë i/e pafytyrë që ta sulmosh opozitën, për ta fshehur paaftësinë që të ballafaqohesh me krizën në veri, sikundër po bëjnë disa zyrtarë të mjerë të LVV. Shtrohen pyetjet logjike: çfarë faji u ka opozita, kur nuk po mund të zbatoni vendimin për targat?! Çfarë faji u ka opozita, nëse SHBA thotë se është e zhgënjyer me qeverinë Kurti?! Çfarë faji u ka opozita që po e humbni përkrahjen e BE dhe SHBA, për shkak të refuzimit të këshillave të tyre? Opozita u ka thënë që ta dëgjoni këshillën e SHBA. Po ta dëgjonte Kurti këshillën e Eskobarit për shtyrjen për dhjetë muaj të vendimit për targat, nuk do të ishin këto probleme.