Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, në një intervistë për Gazeta Blic, e ka quajtur shqetësues faktin që VV e bojkotoi seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, thirrur sot nga opozitë për të diskutuar për blerjen e teksteve shkollore.
Ajo thotë se VV sot do të duhej të ishte në Kuvend dhe të tregonte çka kanë bërë me librat, por pa turp e bojkotuan atë.
“Është shqetësuese për arsye se ju e dini se çka po ndodh me nxënësit në Kosovë. Ata do të duhej sot të ishin dhe t’i jepnin sqarimet e tyre në Kuvend, mirëpo ju po e shihni se çfarë ka bërë deri më tash kjo qeveri dhe sot nuk kanë aspak marre, d.m.th me pas pak respekt për mësuesit, për nxënësit, për prindërit, duke dalë dhe duke treguar se çka kanë bërë në lidhje me librat”, thotë Krasniqi.
Ndërsa, sa i përket takimit të 14 shtatorit Kurti-Vuçiq, deputetja e LDK-së thotë se nuk pret shumë, por që Kurti do të duhej të raportonte në Kuvend, para dhe pas takimit.
“Unë pres që kryeministri Kurt të vijë në Kuvend dhe të raportojë para dhe pas takimit, edhe pse deri më tani nuk ka ndodhur, edhe pse e kemi pasur një rezolutë. Deri më tash ne të gjitha marrëveshjet që i ka bërë Albin Kurti në lidhje me Vuçiqin nuk janë implementuar, as ajo e Ohrit, as e Bratisllavës dhe deri më tash nuk është implementuar asgjë, as marrëveshja e energjisë, as ajo e të pagjeturve. Unë nuk pres shumë nga ky takim, mirëpo pres që sa më shpejt të ulen dhe të dakordohen që të hiqen masat e BE-së, për arsye se ju e dini që edhe procesin e liberalizimit të vizave e kemi me 1 janar dhe është tejet shqetësuese sepse populli është i shqetësuar çka do të ndodhë me atë proces, duke u nisur nga deklarata e Macronit që e dha ditë më parë”, thekson ajo për Gazeta Blic.
Krasniqi ka folur edhe për masat e BE-së dhe kërkesën e VV-së që ato të hiqen, derisa thotë se për t’u hequr ato, ajo duhet t’i përmbushë kushtet.
“Vetëvendosje është normale që kërkon që të hiqen masat por ajo duhet t’i bëjë kushtet, mirëpo deri më tash po e shohim që kryetarët ende po qëndrojnë në komunat veriore, është thënë që të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme por që gjithçka ka ngecur. Është shqetësuese që masat ende nuk janë hequr. Ne në vend se të ulemi e të flasim për progres në politikën e jashtme, ne flasim për regres, tash e 3 vjet. Janë bërë 3 vjet që kur ish kryeministri Hoti ka qenë në Shtëpinë e Bardhë dhe prej atëherë askush më s’ka shkuar për t’u ulur në Shtëpinë e Bardhë dhe vetëm atëherë që kemi pasur njohjen e Izraelit, më s’ka pasur asnjë njohje”, vlerëson deputetja.
Në anën tjetër, sa i përket mocionit për rrëzimin e Qeverisë, Krasniqi thotë se nuk i kanë numrat, por që Qeveria po bie vetë dita-ditës me skandalet e saj.
“Ne e dimë që numra për atë punë nuk ka, por sa më mirë që kjo qeveri të shkojë në shtëpi, është aq më mirë. Po besoj se dita-ditës ai është duke rënë vetë, po i shihni skandalet, me rezervat shtetërore, me librat tash, me përgjimet me Radojçiqin, e besoj se do të ketë edhe shumë skandale tjera”, deklaron Rrezarta Krasniqi nga LDK./Gazeta Blic/


