Lajme

Krasniqi: Qeveria Kurti e kthehu Kosovën disa vite mbrapa me 1 vjet në pushtet!

02/14/2022 15:42
nga:Gazeta Blic

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së Rrezarta Krasniqi, e ka quajtur vit të mashtrimit të Qeverisë Kurti, një vjet pas mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme ku LVV fitoi mbi 51% të mbështetjes elektorale.

Sipas Krasniqi, Kryeministri Albin Kurti në çdo ditë të qeverisjes së vendit e ka dëshmuar se e gjitha ajo çfarë ka thënë sa ka qenë në opozitë, ka qenë vetëm brenda kornizave imagjinare, pasi që sipas saj nuk ka konkretizuar asgjë nga ajo çfarë kishte thënë, “me çka sot populli do të mburrej.”

“Përkundrazi, kjo qeveri ua ka vështirësuar jetesën qytetarëve me ngritjen e vazhdueshme të çmimeve të produkteve bazike për jetesë, e tash së voni edhe me shtrejtimin e energjisë elektrike”, tha Krasniqi.

Deputetja Krasniqi, po ashtu tha se është rritur zhgënjimi i qytetarëve me këtë qeveri, për çka pohon se po ndodhë largimi masiv i të rinjëve.

Reagimi i plotë:

1 vjet mashtrim!

Sot, janë bërë 1 vjet prej kur mbi 51% e qytetarëve vendosen për “ndryshim” duke votuar Albin Kurtin për Kryeministër, i cili në çdo ditë të qeverisjes së vendit është duke e dëshmuar se e gjitha ajo çfarë ka thënë sa ka qenë në opozitë, përfshirë edhe premtimet me të cilat iu ka dhënë shpresë të rrejshme qytetarëve, sepse tani po del se të gjitha ishin vetëm brenda kornizave imagjinare, pasi që nuk ka konkretizuar asgjë nga ajo çfarë kishte thënë, me çka sot populli do të mburrej. Përkundrazi, kjo qeveri ua ka vështirësuar jetesën qytetarëve me ngritjen e vazhdueshme të çmimeve të produkteve bazike për jetesë, e tash së voni edhe me shtrejtimin e energjisë elektrike. Nuk i lanë vetëm për dasma e ahengje as familjarët e tyre, ashtu siç u zotuan në fushatë por i emëruan në pozita të rëndësishme, për kapje të shtetit. Zero rezultat nga politika e jashtme, sepse nuk pati fare angazhim. Në këtë përiudh po ashtu pati stagnim në lobim, anëtarësim dhe njohje të reja për vendin. Kjo qeveri e ktheu mbrapa Kosovën për disa vite. E gjithë kjo situatë, për fatin e keq ka prodhuar zhgënjim të madh i cili po përkthehet me largim masiv të rinisë nga vendi. Qeveria Kurti, do të mbahet mend si qeveria më e dëmshme që ka udhëhequr me vendin.