Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së Rrezarta Krasniqi, ka reaguar ndaj Qeverisë Kurti me rastin e shënimit të 7 vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshje së Stabilizim – Asocimit (MSA), duke akuzuar për mos implementimin e saj.
Krasniqi, ka thënë se vetëm në kohën e qeverisjes së LDK-së janë nënshkruar marrëveshje të rëndësishme për vendin, duke akuzuar qeverinë aktuale për keqqeverisje dhe stagnim në diplomaci.
“Kosova ka shënuar regres me këtë qeveri në shumë fusha. Stagnim të plotë në diplomaci, asnjë njohje të re e anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Zero transparencë në dialogun me Serbinë”, tha ajo, përmes një postimi në Facebook.
Reagimi i plotë:
Sot janë bërë 7 vite nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim – Asocimit (MSA), e cila vendosë kornizën e marrëdhënieve të Kosovës me shtetet anëtare dhe institucionet e BE-së për jetësimin e Procesit të Stabilizim-Asociimit (PSA) deri në anëtarësimin e plotë në BE. Kjo marrëveshje ishte arritur përgjatë qeverisjes së LDK kur Kryeministër ishte Isa Mustafa. Nuk kanë munguar marrëveshje të tilla të rëndësishme për vendin edhe në qeverisjen e Avdullah Hotit, por fatkeqësia më e madhe është se implementimi i saj nuk po bëhet nga Qeveria Kurti, e cila nuk ka bërë asgjë të mirë për vendin. Kosova ka shënuar regres me këtë qeveri në shumë fusha. Stagnim të plotë në diplomaci, asnjë njohje të re e anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Zero transparencë në dialogun me Serbinë. Vetëm vitin e kaluar mbi 42 mijë qytetarë e braktisen vendin si pasojë e keqqeverisjes Kurti.
Qeveri e kurthit, mashtrimit dhe dështimit!