Deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e LDK-së Rrezarta Krasniqi, ka kritikuar Qeverinë Kurti për situstën e krijuar me ngritjen e çmimeve.
Sipas deputetes Krasnjqi, jeta e qytetarëve të vendit sot është vështirësuar me ngritje enorme të çmimeve të produkteve, derisa ka akuzuar qeverinë për mos-veprim.
“Sot kur ne po debatojmë për ngritjen enorme të çmimeve në përgithësi, mund ta merrni me mend se në çfarë gjendje janë qytetarët e vendit. Jetesa e tyre është vështirësuar mjaft shumë si pasojë e kësaj situate, për të cilën si duket nuk po merzitet kjo qeveri, sepse në mungesë të veprimeve të duhura, shumë familje sot janë varfëruar dhe e kanë të papërballueshme jetesën.
Andaj, qeveria është dashur që përmes mekanizmave të saja të mbikëqyrë ngritjen enrome të çmimeve nga bizneset të cilat edhe mund ta kenë shfrytëzuar situatën e krijuar në tregjet ndërkombëtare, duke shtrejtuar shumë çmimin e produkteve edhe nëse ato nuk kanë qenë të atakuara nga lëvizjet e çmimeve në tregjet e huaja. Konform kësaj situata kjo qeveri është dashur të ndërmarrë hapa konkret në mënyrë që situata të mos vinte në këtë pikë, kur sot vështirësohet tej mase jetesa e qytetarëve me ngritjen e çmimeve. Shembull konkret e kemi çmimin e vajit nga rreth 90 cent sa ishte më herët, ndërkaq tani është bërë në mbi 1.60 cent, varësisht nga prodhusi, pra kemi gati dyfishim të çmimit në produkte”, tha ajo në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.
Krasniqi, akuzoi qeverinë edhe për mashtrimin e qytetarëve se do të angazhohen për mirëqenien e tyre sapo të vin në pushtet, e që sipas saj ka ndodhur e kundërta.
“Kjo Qeveria e cila shpresën e qytetarëve po e kthen në zhgënjim mund të quhet vetëm si Qeveria e Kurthit, sepse qytetarët janë ata që u mashtruan me premtimet e tyre se do t’ua përmirësojnë mirëqenien, por ndodhi e kundërta, ajo po rrezikohet. Andaj, me të drejtë zhgënjimi i tyre po bëhet çdo ditë e më i madh, e kjo po dëshmohet edhe me interesimin për largim nga vendi, ne pamë se vetëm në dhjetor të vitit të kaluar kishim mbi 51 mijë kërkesa për termine vetëm në ambasadën e Gjermanisë. Është më të vërtetë e dhimbshme t’ua humbësh shpresën të rinjëve e të rejave që në mundësinë e parë duan të largohen nga vendi, duke mos parë prespektivë për të ardhmen e tyre”, u shpreh ajo.
Deputetja Krasniqi kërkoi edhe anulimin e vendimit për shtrenjëtimin e energjisë elektrike.
“Në krejt këtë amulli ne tani e kemi një vendim të kësaj qeverie të papërgjegshme për shtrenjëtim e energjisë elektrike, çka e rëndon edhe më tepër barrën e jetesës për shumë familje, ndërkohë që për Veriun ka ndarë mbi 30 milionë euro për t’ia paguar rrymën ku vazhdon të keqpërdorët edhe sot. Pra, për këto veprime të dëmshme të kësaj qeverie, qytetarët e varfër në Jug detyrohen të pagujanë rrymën dyfish më shtrenjtë, për çka z. Kurti kishte deklaruar se ka për synim uljen e çmimit të energjisë sepse siç kishte deklaruar asokohe si vend “kemi shumë kapacitete.” Çka ndodhi tani? A mund të shpjegojë dikush këtë dëm që po i bëhet vendit?”, tha ajo.