Lajme

Krasniqi publikon video: 350 mijë euro të taksave të qytetarëve, u shpenzuan për luks dhe “tallava” në Davos

01/23/2025 21:36
nga:G C

Kandidatja e LDK-së për deputete, Rrezarta Krasniqi, ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti për udhëtimin e delegacionit të Kosovës në Davos, duke e cilësuar atë si një shfaqje të turpshme të luksit dhe “tallava”-s, ndërkohë që, siç thotë ajo, vendi nuk arriti asnjë njohje të re dhe asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, raporton GazetaBlic.

Ajo e theksoi se 350 mijë euro të taksave të qytetarëve të Kosovës u shpenzuan për aktivitete të kota dhe pa asnjë rezultat konkret, duke e cilësuar këtë si një dështim të plotë të diplomacisë.

Krasniqi theksoi se ndërkohë që Kosova është nën masa sanksionuese nga BE-ja, Qeveria e Kosovës ka shpenzuar para për këngë e valle, duke injoruar përpjekjet për të hequr sanksionet dhe avancuar interesat e shtetit.

Ajo kërkoi llogaridhënie dhe ndryshim.

E plotë:

350 mijë euro të taksave të qytetarëve të Kosovës u shpenzuan për luks dhe “tallava” në Davos, ndërkohë që Kosova nuk siguroi asnjë njohje të re dhe asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Dhe kjo ndodh pikërisht kur vendi është nën masa sanksionuese nga BE-ja!

Ky është shfrytëzim i turpshëm i parave publike dhe një dështim total i diplomacisë.

Në vend që të punojnë për heqjen e sanksioneve dhe avancimin e interesave të shtetit, ata shpenzojnë para të taksapaguesve për shfaqje boshe, pa asnjë rezultat konkret për Kosovën.

Kjo nuk është as diplomaci dhe as përfaqësim i dinjitetshëm – është papërgjegjësi dhe tallje me qytetarët! Koha për llogaridhënie. Koha për ndryshim!