Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka dalë kundër projeltligjit që u prezantua nga ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, që ka për detyrë vendosjen e çmimeve tavan në disa produkte esenciale.
Sipas Krasniqit, Qeveria Kurti u ka shpallur luftë marketeve të vogla që janë nëpër lagje dhe fshatra të Kosovës.
Ai thotë se pushteti po dëshiron që t’i mbyllë me mijëra markete që gjenden në vendin tonë, për shkak të këtij projektligji.
“Bazamentin e Kushtetutës për ekonomi të tregut të lirë po doni me thy. E keni bo një ligj që s’ka as afat kohor as kurrgjë tjetër. Projektligji është ndërhyrje në tregun e lirë”, tha ai gjatë seancës së Kuvendit.
Ai më tutje tha se s’ka besuar se në Kuvend ndonjëherë do të diskutohej për këtë projektligj.
“Kontrolla e çmimeve nuk njihet e suksesshme në inflacion, dhe kjo mundet me shkaktua efekte negative sesa mi ndihmua qytetarët”, ka thënë Krasniqi, raporton Front Online.
“Nuk po mundem me kuptua se si mundet me dal dikush me arsyetua këtë ligj. Nëse duhet me u rregullua tregu për me ruajt konkurrencën duhet të themelohen organe të pavarura e jo Qeveria me hartua këtë projektligj”, ka shtuar ai.
Sipas Krasniqit, ky projektligj duhet me qenë i qartë.
“Ky ligj është totalisht i paqartë dhe me terme fluide. Kjo ia jep Qeverisë të drejtën me i mbajt këto masa edhe kur s’ka krizë ekonomike”, ka shtuar Krasniqi.


