Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi përmes një shkrimi në “Facebook” u shpreh se muaji Mars në Kosovë do të kujtohet si muahi i skarificës.
Ai u shpreh se sulmet dhe vrasjet që u bënë mbi popullsinë e Kosovës në vitin 1999 do të mbetën të paharrueshme, raporton GazetaBlic.
POSTIMI I PLOTË:
Muaji Mars, në historinë e Kosovës, do të kujtohet përgjithmonë si muaji i sakrificës e i dhembjes, por edhe i krenarisë sonë të përbashkët. Sulmet, dëbimet, granatimet, vrasjet e masakrat që u bënë mbi popullsinë civile të Kosovës në javën e fundit të këtij muaji në vitin 1999, do të mbeten përjetësisht të paharruara në kujtesën tonë individuale e kolektive.
Shumë fshatra e qytete të Kosovës u mbuluan me gjakun e fëmijëve, grave, burrave e të moshuarve të pafajshëm e të paarmatosur.
Në Krushë të Madhe, Krushë të Vogël, Celinë, Fortesë, Pastasel, Izbicë, Padalishtë, Kotlinë, Randobravë, Landovicë, Llashticë, Burim, Dumnicë të Epërme, Podujevë, Dardhishtë, Keqekollë, Matiqan, Gjakovë, Mitrovicë, Suharekë, Mamushë, Beleg dhe lokalitete të tjera, u vranë mbi një mijë civilë shqiptarë.
“Krimi” i tyre i vetëm ishte që ishin shqiptarë dhe kërkonin lirinë.
Prandaj, dje, sot, nesër dhe secilën ditë tjetër që të lirë do të jetojmë në Repubikën e Kosovës, do të kujtojmë me krenari secilin që dha jetën për lirinë tonë – martirët e kësaj lirie dhe dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Mbi gjakun e tyre qëndron themeli i shtetit të Kosovës.
Lavdi e nderim i përjetshëm për ta!


