Lajme

Krasniqi: Për libra ne shpenzuam 3.3 milionë euro, Qeveria e LVV-së shpenzon 17 milionë

04/06/2024 14:34
nga:Sh R

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e ka akuzuar Qeverinë Kurti për korrupsion me librat shkollorë.

Ai thotë se në kohën kur për herë të fundit partia e tij e ka drejtuar Ministrinë e Arsimit, më 2017-18, janë shpenzuar 3.3 milionë euro për librat e 247 mijë nxënësve.

Ndërsa thotë se sivjet, kur Vetëvendosje e udhëheq Ministrinë e Arsimit, “janë shpenzuar rreth 12 milionë euro për libra – ndonëse nuk janë kompensuar librat e nxënësve të klasave 6-9”.

Vitin e kaluar, në vitin shkollor 2022-23, ai thotë se qeveria shpenzoi rreth 17 milionë euro për librat e rreth 210 mijë nxënësve.

“Pra, ndonëse janë rreth 40 mijë nxënës më pak, Qeveria e Vetëvendosjes ka shpenzuar rreth 9, respektivisht 14 milionë euro më shumë! Kësaj i vjen era korrupsion dhe keqpërdorim i madh në kurriz të nxënësve dhe prindërve të tyre”, tha Krasniqi.

Prandaj, ai thotë se me nismën e partisë që e drejton, “pardje u themelua komisioni hetimor parlamentar për të zbardhur se çfarë ka ndodhur me këtë proces skandaloz të furnizimit të nxënësve me libra”.