Lajme

Krasniqi për Kurtin: Dikur i quante tradhtarë ata që merreshin me Manastirin, sot e zbatoi vet vendimin

03/14/2024 20:21
nga:G B

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Rrezarta Krasniqi ka komentuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për autorzim të Kadastrit të Kosovës që 24 hektarët tokë, t’i kalojnë në pronësi, Manastirit të Deçanit, duke thënë se ky vendim u implementua nga kundërshtuesi më i madh në të kaluarën.

Krasniqi ka thënë se kryeministri, Albin Kurti më herët i quante tradhtarë ata që janë marr me çështjen e Manastirit, ndërsa tani pranoi ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pa asnjë problem.

“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të implementohen, mirëpo ato po implementohen nga një kundërshtues i madh në të kaluarën, ku më herët i ka quajtur tradhtar ata që janë marr me tokat e Manastirit, ndërsa tani pa asnjë problem i pranoi të gjitha. Kjo ka qenë shqetësuese jo për mua por për të gjithë votuesit e Albin Kurtit, duhet dhënë llogari, nga parimet me të cilat ka ardhur në pushtet është duke i shkel secilën“, u shpreh ajo në emisionin “Ditari”, në Tëvë 1.

Për Krasniqin, vendimet e Kushtetueses duhet të pranohen, por nuk duhet të politizohen. Sipas saj, Kurti po bën një politikë mashtruese.

“Të gjitha vendimet që burojnë nga Gjykata Kushtetuese duhet të pranohen, nuk duhet të politizohen. Kjo është politikë mashtruese e kryeministrit Kurti”, ka shtuar ajo.

Ndryshe, të mërkurën, Qeveria e Kosovës e ka urdhëruar Agjencinë Kadastrale të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për kalimin në pronësi të Manastirit të Deçanit të 24 hektarëve tokë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka arsyetuar urdhrin ekzekutiv me faktin se zbatimi i këtij vendimi ishte kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.