Lajme

Krasniqi për “krisjen” e raporteve Osmani-Kurti: Shkaktar mund të jenë drafti i Asociacionit e popullariteti i presidentes

12/21/2023 15:20
nga:Sh R

Profesori universitar dhe njohësi i çështjeve politike, Milazim Krasniqi ka përmendur disa arsye që mund të kenë ndikuar që të ketë mosmarrëveshje ndërmjet presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti.

Dy krerët e shtetit gjatë një debati në Kuvend u panë duke diskutuar ashpër, por që Osmani tha se vetëm kanë diskutuar për Ligjin për zgjedhjet. E kjo sipas Krasniqit tha se ka gjasa në krisjen e raporteve ndërmjet tyre të ketë ndikuar edhe drafti për Asociacionin.

“Unë mendoj që qëndrimi i presidentes ndaj draft-statusit është dalluar nga qëndrimi i kryeministrit, e po ashtu edhe iniciativa e saj për të takuar liderët e opozitës me siguri që nuk do t’i ketë pëlqyer kryeministrit”.

Tutje, ai përmendi edhe rritjen e popullaritetit të presidentes Osmani duke thënë se kjo më siguri e ka nervozuar kryeministrin.

“Sipas disa hulumtimeve të fundit, popullariteti i presidentes, Vjosa Osmani është më i lartë se sa i kryeministrit Kurti e kjo mendoj se mund ta ketë nervozuar atë, mirëpo mendoj se ky diskutim  mund të jetë një pjesë e një skenarit për inskenim të krizës për të shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme”.

Krasniqi po ashtu, deklaroi se presidentja Osmani duhet të lirohet nga presioni i Lëvizjes Vetëvendosje, pasi sipas tij, deri më tani ky presion ka penguar atë në ushtrimin e funksionit si presidente.

Krasniqi foli edhe për vizitat e Kurtit në institucionet fetare, duke u shpreh i bindur se këto janë  indikacione për dërgimin e vendit në zgjedhje të jashtëzakonshme, raporton EO.

“Nisur nga dhënia e shtesave nga 100 euro për fëmijët dhe pensionistët, e pastaj tek vizitat në xhami kur dihet se Kurti në dy zgjedhjet e fundit pati kalkulime me hoxhallarë të ndryshëm, e bën atë të duket sikur i është kthyer përsëri asaj qasje”, deklaroi Krasniqi.