Lajme

Krasniqi pas dështimit në KiE: Ditë e hidhur për Kosovën, zgjedhjet e parakohshme janë të domosdoshme

05/17/2024 17:11
nga:Y I

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se sot është një ditë e hidhur për Kosovën dhe për qytetarët e saj pasi sot dështoi të anëtarësohet në Këshillin e Europës.

Krasniqi ka thënë se në vend se “të konkretizonim një sukses që do të forconte demokracinë, sundimin e ligjit dhe shtetësinë tonë – e për çfarë është punuar gjatë, sot jemi dëshmitarë të humbjes së mbështetjes nga partnerët tanë ndërkombëtarë”.

Krasniqi ka thënë se qytetarët e Kosovës sot kanë çdo të drejtë të ndjehen të indinjuar dhe të papërfaqësuar, sepse, ata dhe shteti i Kosovës, kanë merituar më shumë dhe më mirë.

“Për PDK-në, rrugëtimi drejt integrimit evropian të shtetit tonë është i paalternativë. Përkushtimi ynë për drejtësi, demokraci dhe të drejta të plota për çdo qytetar të Kosovës mbetet i palëkundur. Prandaj, shkuarja në zgjedhje të parakohshme, krijimi i një Qeverie të re, kredibile, kompetente dhe të përgjegjshme, që e heqë Kosovën nga izolimi dhe e orienton nga integrimi i sigurt euro-atlantik – është e domosdoshme. Sot, edhe zyrtarisht ky pushtet e ka humbur legjitimitetin. Shteti ka nevojë për qytetarët dhe ata duhet ta thonë fjalën e tyre!”, ka shkruar Krasniqi.