Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi thotë se inflacioni është ngritur në 14.1 për qind dhe sipas tij, Kosova është në mesin e shteteve që i prijnë listës në nivelin global, me shkallën më të lartë të zhvlerësimit të parasë, raporton GazetaBlic
Krasniqi përmes një postimi në “Facebook”, ka kritikuar Kurtin dhe Qeverinë e tij ku thotë se nuk janë duke marrë asnjë masë për të zbutuar krizën ekonomike.
Sipas Krasniqit, më e keqja e ekonomisë nuk ka ndodhur ende.
“Fatkeqësisht, më e keqja akoma pritet që të vije për ekonominë dhe qytetarët tanë. Analizat ekonomike paralajmërojnë se dimri që po vjen pritet të jetë jashtëzakonisht i rëndë”, shkruan Krasniqi.
Krasniqi thotë se kërkesa e PDK-së për heqjen e akcizës për naftën e TVSH-në tashmë është urgjente dhe Qeveria Kurti duhet të reagojë.
POSTIMI I PLOTË I KRASNIQIT PA NDëRHYRJE:
Si snjëherë pas luftës në Kosovë, inflacioni është ngritur në 14.1 për qind. Me këtë përqindje, Kosova është në mesin e shteteve që i prijnë listës në nivelin global, me shkallën më të lartë të zhvlerësimit të parasë.
Rrjedhimisht, me të njëjtat të hyra si deri dje, secili qytetar i vendit tonë, sot blenë më pak produkte e siguron shumë më pak shërbime.
Për dallim nga shtetet tjera, të cilat kanë një ekonomi më të fuqishme dhe përmes masave qeverisëse po lehtësojnë jetën e qytetarëve të tyre, qytetarët e Kosovës kanë mbetur nën mëshirën e fatit.
Në kulmin e ngritjes së çmimeve të të gjitha produkteve bazike ushqimore – Kryeministri dhe Qeveria që ai udhëheqë, nuk po tregojnë as vizion, as vullnet e as guxim për të marrë masa konkrete për të zbutur këtë gjendje.
Fatkeqësisht, më e keqja akoma pritet që të vije për ekonominë dhe qytetarët tanë. Analizat ekonomike paralajmërojnë se dimri që po vjen pritet të jetë jashtëzakonisht i rëndë.
Rritja deri në trefish e çmimit të energjisë, shtrenjtimi i lëndëve djegëse për ngrohje, do të jenë sfidë shumë e rëndë për secilën familje. Çmimet e derivateve dhe të ushqimeve nuk pritet aspak të zbresin. Pandemia po e rikthen intensitetin e saj, e, sipas gjendjes faktike, mundësia për rritjen e pagave është tepër e vogël.
Këto paralajmërime, do të duhej të mjaftonin që Qeveria të ndërmerrte masa emergjente qysh sot. Por, jo. Për Kryeministrin, i cili në 100 ditët e fundit gjysmën e tyre e ka kaluar jashtë vendit nëpër ekskursione personale – pa asnjë rezultat për Kosovën, më me rëndësi po dalin të jenë tryezat e debateve dhe takimet shterpe.
Si Parti Demokratike e Kosovës, ka kohë që kemi propozuar heqjen e akcizës për naftën dhe të TVSH-së për produktet ushqimore.
Kjo tashmë nuk është vetëm një propozim, por, një kërkesë urgjente që po i bëjmë kësaj Qeverie për të reaguar. Dita është sot. Koha është menjëherë. Tashmë jeni vonë!


