Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi sot ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, raporton GazetaBlic.
Përmes një shkrimi në rrjetin social “Facebook”, Krasniqi tregoi për temat të cilat kanë biseduar duke përfshirë këtu intensifikimin e bashkëpunimit mes komunave të brezit kufitar që kryeqendër e kanë Prizrenin.
Tutje, Krasniqi thotë se PDK angazhohet përherë në forcimin e marrëdhënieve tona vëllazërore me Shqipërinë.
POSTIMI I PLOTË:
Si gjithëherë, kënaqësi e veçantë të takimi me ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, mikun tim Qemal Minxhozi, me të cilin, përtej temave të karakterit nacional, diskutuam rreth intensifikimit të bashkëpunimit mes komunave të brezit kufitar që kryeqendër e kanë kryeqytetin tonë kulturor e historik, Prizrenin.
E vlerësuam si tepër të rëndësishme krijmin e këtyre raporteve ndërmjet komunave të Kosovës dhe Shqipërisë, në funksion të zhvillimit ekonomik lokal, zhvillimit të veprimtarive rekreative, si dhe rritjes së efikasitetit të shërbimeve të ofrura ndaj qytetarëve që udhëtojnë nga njëri vend në tjetrin. Një bashkëpunim i tillë është mundësi e mirë për hapje të perspektivës dhe promovim të zonave turistike, siç i ka Prizreni, apo Valbona në anën tjetër të kufirit.
Ambasadorin Minxhozi e falënderova për punën e tij të palodhshme si avokues i rritjes së bashkëpunimit Kosovë – Shqipëri dhe gardian i promovimit të këtyre raporteve. Partia Demokratike e Kosovës angazhohet përherë në forcimin e marrëdhënieve tona vëllazërore me Shqipërinë.


