Lajme

Krasniqi në konferencën e COSAC-ut: Kosova ka nevojë urgjente që t’i hiqen masat nga BE-ja

07/29/2024 19:11
nga:G B

Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, ka marrë pjesë në konferencën e COSAC-ut që përfshinë dimensionin parlamentar të 27 shteteve anëtare të BE-së, nën udhëheqjen e Presidencës hungareze të Këshillit të Bashkimit Evropian në kuadër të gjashtëmujorit të dytë të këtij viti, raporton Gazeta Blic.

Ajo përmes një postimi në Facebook, ka thënë se gjatë fjalës së saj në konferencë ka theksuar se Kosova i është nënshtruar masave të BE-së që gati 1 vit pas sulmit në Banjskë, ndërsa që terroristët mbeten të lirë në Serbi.

Ajo ka theksuar se Kosova ka nevojë urgjente për heqjen e masave të vendosura nga BE dhe fillimin e dialogut që të ketë njohjen reciproke si pjesë të marrëveshjes përfundimtare.

Postimi i saj i plotë:

Gjatë këtyre ditëve morra pjesë në konferencën e COSAC-ut që përfshinë dimensionin parlamentar të 27 shteteve anëtare të BE-së, përkatësisht pjesëmarrjen e parlamenteve kombëtare të tyre, nën udhëheqjen e Presidencës hungareze të Këshillit të Bashkimit Evropian në kuadër të gjashtëmujorit të dytë të këtij viti.

Gjatë fjalës sime në këtë konferencë theksova se, Kosova i është nënshtruar masave të BE-së për gati një vit pas një agresioni terrorist serb në veri të Kosovës, ndërsa terroristët përgjegjës për vrasjen e një polici të Kosovës mbeten ende të lirë në Serbi. Prandaj, duhet të shtohet presioni ndaj Serbisë që të ekstradojë terroristët dhe të rifillojë dialogun me Kosovën për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore.

BE-ja së fundmi mori një vendim të dëmshëm për Kosovën dhe qytetarët e saj duke lejuar lëvizjen brenda zonës Shengen me dokumente të lëshuara nga strukturat paralele serbe në Kosovë. Ky vendim bie ndesh me progresin që ka arritur Kosova gjatë shumë viteve dhe ndikon në shpërbërjen e serbëve në Kosovë.

Sot, si asnjëherë më parë, Kosova ka nevojë urgjente për heqjen e masave të vendosura nga Bashkimi Evropian dhe fillimi i dialogut që duhet ta ketë njohjen reciproke si pjesë të marrëveshjes përfundimtare.