Alber Krasniqi nga ‘Demokracia Plu’s ka bërë një përmbledhje në lidhje me situatën në Korporatën Elektroenergjitike të Kosovës, raporton Gazeta Blic.
Krasniqi ka bërë një krahasim se si është menaxhuar KEK në të kaluarën por dhe tani duke thënë se në të dy rastet ka patur problematike dhe abuzime.
Ai thotë se mënyra si po menaxhohet KEK tani shihet duke u kapur kjo kompani me drejtor partiak, KEDS-i – kompani private që ka monopol dhe çmim të garantuar – është subvencionuar me 75 milionë euro prej taksave tona për t’ia mbajtur lartë fitimet, KOSTT-it i janë ndarë 40 milionë euro për të paguar faturat e energjisë të serbëve në veri, Martini mbahet ambasador përkundër përfshirjes në skandalin 100 milionësh me mafinë energjetike të Ballkanit si dhe Nagipi mbrohet nga pushteti, jo pse s’ka vjedhur, por pse e kanë zënë etj.
Ai tutje thotë se dy komisionet hetimore për energji të Kuvendit, për një vit, nuk kanë arritur të zbardhin asgjë, raporton Gazeta Blic.
Reagimi i plotë:
Si është menaxhuar në të kaluarën me sektorin e energjisë, mjafton të përmendim çmimin e shitjes së distribucionit prej 26.3 milionë euro – që është fitimi i një viti – dhe faljen e katër hidrocentraleve.
Si po menaxhohet tash me sektorin e energjisë:
1. KEK-u është kapur me drejtor partiak, i cili është në pranga për shkak të akuzave të Prokurorisë për manipulime në tender. Nën menaxhimin e tij, KEK ka pësuar dëm prej 30 milionë euro vetëm në vitin 2021 nga rënia e prodhimit, dhe humbje milionëshe po shkaktohen çdo ditë nga lënia jashtë funksionit e Bllokut A5. Në media po dalin çdo ditë skandale prej kontratave një burimore që kapin vlerën e 80 milionë euro;
2. KEDS-i – kompani private që ka monopol dhe çmim të garantuar – është subvencionuar me 75 milionë euro prej taksave tona për t’ia mbajtur lartë fitimet;
3. KOSTT-it i janë ndarë 40 milionë euro për të paguar faturat e energjisë të serbëve në veri;
4. ZRRE-ja – për ne që paguajmë – ka shtrenjtuar tarifat e energjisë elektrike për 130%;
5. ÇiçavicaWindFarm, kompani ndërkombëtare që planifikonte të investonte 100 milionë euro në projektin për prodhim të energjisë elektrike me erë, është tërhequr pasi institucionet janë vonuar për t’i dhënë statusin e investitorit strategjik;
6. MCC-s i është refuzuar projekti 200 milionë dollar për kyçje në gazsjellësin me Maqedoninë e Veriut;
7. Martini mbahet ambasador përkundër përfshirjes në skandalin 100 milionësh me mafinë energjetike të Ballkanit;
8. Nagipi mbrohet nga pushteti, jo pse s’ka vjedhur, por pse e kanë zënë.
Në ndërkohë, dy komisionet hetimore për energji të Kuvendit – për një vit – nuk kanë arritur të zbardhin asgjë. As këta për ata, as ata për këta!


