Lajme

Krasniqi: Mesazhi i Trump kambanë se na duhet stabilitet politik – këtë nuk e ofron Qeveria Kurti por LDK

06/16/2025 22:00
nga:G B

Ish deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, e ka quajtur sinjal të qartë për rolin e SHBA-ve në paqen në rajon, deklaratën e presidentit amerikan, Donald Trump, për përfshirjen e tij në zgjidhjen e çështjes Kosovë-Serbi.

“Deklarata e fundit e Presidentit Donald Trump, ku theksoi angazhimin e tij për të parandaluar konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë, është një sinjal i qartë për rolin kyç që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë për paqen dhe stabilitetin në rajon”, ka thënë ajo.

Krasniqi në një prononcim për Gazeta Blic, ka thënë se Kosova mbetet thellësisht mirënjohëse për mbështetjen historike të SHBA-së.

“Kosova mbetet thellësisht mirënjohëse për mbështetjen historike të SHBA-së – nga ndërhyrja çlirimtare e vitit 1999, te mbështetja në shtetformim dhe fuqizimin ndërkombëtar të vendit tonë”, është shprehur ish deputetja.

Ajo ka kritikuar qeverinë për raportet me SHBA-të, teksa thotë se mesazhi nga Trump është kambanë se na duhet stabilitet politik për sfidat që na vijnë, stabilitet ky që vjen vetëm nga LDK.

“Kjo qeveri për 4 vite e ka dëshmuar që nuk është e gatshme për aleancë me ShBA-në dhe ka ushqyer popullin me mesazhe anti-amerikane. Mesazhi i fundit nga Trump është një kambanë që na paralajmëron se duhet sa më parë stabilitet politik për sfidat përpara dhe Qeveria Kurti nuk e ofron këtë stabilitet. Vetëm me LDK-në dhe vizionin e saj të qartë mund të bëhet një projekt afatgjatë që garanton stabilitet në vend dhe rajon. Paqja, zhvillimi dhe integrimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare e njohje të reja janë arritje që garantohen dhe nuk do të ishin të mundura pa partneritetin tonë të fuqishëm me ShBA”, ka potencuar Rrezarta Krasniqi./Gazeta Blic/

“Ballkani me plagë të hapura”/ Pas mesazhit të Trump, Haliti paralajmëron “ngjarje të paparashikueshme”

Ish deputetja e AAK-së për deklaratën e Trump: Qeveria të reflektojë, dëmtoi raportet me SHBA-të

Deklarata e Trump/ Izmaku: Kemi detyrim të krijojmë institucionet pa vonesa e lojëra politike – s’mund të sillemi si shtet që nuk funksionon