Lajme

Krasniqi: Me ardhjen e qeverisë Kurti në pushtet, Kosova ka dështuar në arenën ndërkombëtare!

10/15/2024 18:02
nga:Y I

Ditën e sotme, Shqipëria, ka hapur kapitujt e parë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se synimi është që në katër vitet e ardhshme Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së.

Por si qëndron Kosova në këtë aspekt, sa është punuar për procesin e anëtarësimit në BE?

Deputetja e LDK-së njëherësh kryetare e Komisionit për Integrim Evropian, Rrezarta Krasniqi, në një përgjigje dhënë për “Gazeta Blic” tha se Kosova ka patur një rrugë të mbarë në procesin integrues, por me ardhjen e kësaj qeverie, Kosova ka dështuar në arenën ndërkombëtare.

Krasniqi tha se duke patur qasjen e gabuar në dialog, ofendimet ndaj zyrtarëve të BE-së dhe SHBA-së, mos-koordinimi me aleatët, rezultati ka qenë sanksionimi i Kosovës nga BE-ja.

Ajo tha se e gjitha kjo nënkupton hapa pas në anëtarësimin e Kosovës në BE.

“Republika e Kosovës ka pasur një rrugë të mbarë në procesin integrues, por me ardhjen e kësaj qeverisje, ne kemi dështuar në arenën ndërkombëtare. Duke e parë qasjen e gabuar në dialog, ofendimet ndaj zyrtarëve të BE-së dhe SHBA-së, dhe moskoordinimin me aleatët tanë, rezultati ka qenë sanksionet nga BE, që nënkupton hapa prapa në anëtarësimin tonë. Mungesa e koordinimit me aleatët tanë, madje edhe përplasjet me Shqipërinë, zërin më të fuqishëm për ne në organizatat ku nuk jemi anëtarë, tregon papërgjegjshmërinë e Kryeministrit dhe automatikisht dëmton imazhin tonë në arenën ndërkombëtare” tha Krasniqi për “Gazeta Blic”.

Krasniqi përgëzoi Shqipërinë dhe homologen Tabaku për lajmin e mirë që mori Shqipëria sot.

Ajo tha se e njëjta ka qenë një zë i fuqishëm për shpejtimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në BE.

“Përgëzime për këtë hap të rëndësishëm për Shqipërinë. Në disa tryeza ndërkombëtare me homologen time, znj. Tabaku, kryesuese e Komisionit për Integrimin Evropian në Shqipëri, ajo ka qenë një zë i fuqishëm për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në BE” përfundoi përgjigjen Krasniqi për “Gazeta Blic”.

/Gazeta Blic/

 

Shqipëria hap kapitujt e parë të negociatave për anëtarësim në BE

Osmani uron Shqipërinë për hapjen e kapitujve për anëtarësim në BE