Lajme

Krasniqi: LDK dështoi në momentin final, s’e udhëhoqi popullin në luftë

12/23/2021 22:37
nga:Y I

Profesori Milazim Krasniqi, i cili ishte ndër themeluesit e parë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se kjo parti nuk arriti që të marrë përgjegjësinë historike edhe pas zgjedhjeve për të udhëhequr popullin në luftë.

“Pas asaj që ka ndodhur në vitet 93/94, LDK ka qenë e traumatizuar për shkak të dështimit të këtij projekti dhe më s’ka provuar të ndërtojë sistem të vetëmbrojtjes. Ka provuar Bukoshi me oficerët jashtë, por LDK brenda jo. Kjo është arsyeja që pas Dejtonit, LDK e ka humbur frymën e aksionit dhe linja ka kaluar tek organizimet e tjera ushtarake”.

“LDK ka dështuar në momentin final, sepse s’e ka marrë përgjegjësinë historike për ta udhëhequr popullin në luftë. Kjo është arsyeja pse kam bërë kritikë dhe kam dal prej LDK-së “.

Krasniqi në Rubikon tregoi se kishin pasë kontakte dhe madje bashkërendime me përfaqësues të UÇK-së në Tiranë, por se ato u ndërprenë për shkak se Ibrahim Rugova deklaroi “UÇK-ja nuk ekziston”.

“Kemi dalë me një komunikatë që LDK fton të gjithë anëtarësinë që me të gjitha mjetet të përkrahë UÇK-në dhe kjo ka qenë pika ku na ndodhi konflikti, personalisht mua më së shumti, me Rugovën. Në momentin që ka dalë ai [me deklaratë] na ka dërguar mesazhin që ne të ndërpresim të gjitha kontaktet me UÇK-në, sepse ne kemi pasë kontakte me përfaqësues të UÇK-së në Tiranë. I kemi bashkërenduar deri në njëfarë mase. Aty u ndërpre dhe pastaj gjërat shkuan ters”.

Krasniqi ka thënë se LDK në fillim ishte më shumë lëvizje sesa parti derisa foli edhe për kontekstin kur ajo ishte krijuar.

“Kosova ishte në një gjendje jashtëzakonisht të keqe. Ishte shpallë gjendje e jashtëzakonshme, ishte suprimuar autonomia. Kishin ndodhur arrestime, si ajo e Azem Vllasit, pastaj detronizimi i Kaqusha Jasharit. Me një fjalë kishte ngelë skena politike me disa marioneta që zbatonin direktivat e Beogradit. Në rrethana të tilla, faktikisht e vetmja adresë që kishte ngelë, që ishte reprezent i interesave të shqiptarëve të Kosovës, ishte elita intelektuale. Pra, më konkretisht Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës, e cila në atë kohë udhëhiqej nga Ibrahim Rugova”.

“Ka edhe një kontekst brenda zhvillimeve të Jugosllavisë, sepse ne s’duhet të jemi asnjëherë aq budallenj që të marrim përsipër që ne e kemi shkatërruar atë. Jugosllavinë e ka shkatërruar nacionalizmi nazifashist i Millosheviqit me tentativën për krijimin e Serbisë së Madhe. Ndërsa, lëvizja jonë dhe ajo në Slloveni dhe Kroaci, ishin përpjekje me iu kundërvu nacionalizmit serb”.

Krasniqi tha se Jugosllavia do të mund të shpërbëhej sikur Bashkimi Sovjetik me një proces paqësor që do të linte hapësirë që ato shtete të bashkëveprojnë me njëra-tjetrën, por jo luftë të përgjakshme.

“Njëri prej sloganeve tonë ka qenë që ne duhet të integrohemi në Europë dhe të kemi mbrojtjen atlantike”.

Haziri: Qeveria e Albin Kurtit ka trashëguar stabilitet në energji