Lajme

Krasniqi: Kurti nuk pati guxim të marrë përgjegjësi për krizën energjetike, u vendosi haraç qytetarëve

04/09/2022 12:47
nga:Astrit Gashi

Gjykata Themelore e Prishtinës ka vendosur masë të përkohshme ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji për shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Ky vendim është mirëpritur nga i PDK-së, Memli Krasniqi, që tha se kanë kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike me mjete juridike dhe se këtë betejë do ta çojnë deri në fund.

“Partia Demokratike e Kosovës e ka kundërshtuar vendimin e padrejtë të sinkronit Qeveri-ZRRE, për shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike dhe jam shumë i lumtur që Gjykata Themelore në Prishtinë e ka miratuar kërkesën tonë për masë të përkohshme që pezullon këtë vendim deri në marrjen e vendimit përfundimtar”.

“As Kryeministri Kurti e as mazhoranca nuk kanë pasur kurajo për të marrë përgjegjësi përballë krizës. Ata thjesht zgjodhën ta dyfishojnë çmimin e energjisë elektrike, duke ju vendosur një haraç qytetarëve, pikërisht në kohën kur çmimet e produkteve esenciale janë rritur dhe kostoja e jetesës është bërë shumë e rëndë”.

“Prandaj, kemi kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike me mjete juridike dhe do vazhdojmë këtë betejë juridike deri në fund, kundër vendimit të padrejtë të Qeverisë dhe ZRRE-së, në kurriz të familjeve dhe qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.