Lajme

Krasniqi: Kurti e Bislimi të dobët në dialog – ndëshkimin do ta marrin me 9 shkurt

11/26/2024 09:46
nga:G B

Kryenegociatorët e dialogut Kosovë-Serbi do të mbajnë takimin e radhës në dhjetor.

Kështu ka bërë të ditur emisari i dialogut, Miroslav Lajçak, pa treguar datën.

“U angazhova në diskutime të rëndësishme mbi dialogun dhe rrugën përpara. Këto biseda janë kritike në formësimin e punës që po bën ekipi im ndërsa përgatitemi për takimin e ardhshëm të kryenegociatorëve në dhjetor. Pres me padurim periudhën e ardhshme”, shkroi ai.

Lidhur me pritjet nga takim, për Gazeta Blic, ka folur deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi.

Ajo nuk pret rezultat pasi thotë se qasja në dialog është e gabuar.

“Sikurse nga çdo takim tjetër as nga ky takim nuk do të ketë rezultate sepse qasja e tyre ndaj dialogut dhe aleatëve tanë është e gabuar. Kjo qeveri e ka humbur legjitimitetin e dialogut dhe dëmet e shkaktuara nga kjo qeveri janë të mëdha por jam e bindur që me 9 shkurt do të ndëshkohen nga qytetarët”, thotë ajo.

Krasniqi vlerëson se Kurti dhe Bislimi janë të paaftë për të çuar përpara procese integruese.

“Kryeministri Kurti dhe Besnik Bislimi janë të dobët në qeverisje dhe në dialog, janë të paaftë për t’i çuar përpara proceset integruese për vend”, potencon deputetja për Gazeta Blic.

Sipas saj, kjo qeveri do të ndëshkohet me 9 shkurt.

“Ndëshkimin do ta merrni me 9 shkurt, sepse qytetarët po i bashkohen LDK-së dhe janë të gatshëm për ndryshim”, deklaron deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi./Gazeta Blic/

Kryenegociatorët takohen në dhjetor/ Pak pritje nga takimi – si ndikon vlerësimi negativ i Lajçakut në fondin për Kosovën