Lajme

Krasniqi: Kurti duhet të raportojë në Kuvend pas takimeve në Bruksel

10/26/2023 18:30
nga:Sh R

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, ka bërë thirrje për transparencë dhe llogaridhënie të shtuar në procesin e dialogut me Serbinë pas takimit në Bruksel midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Krasniqi është shprehur e shqetësuar për mungesën e informacionit në këtë proces, dhe ka kërkuar që kryeministri Kurti të raportojë në Kuvend rreth përmbajtjes së takimit të fundit në Bruksel.

“Unë shpresoj që vet kryeministri Kurti duhet të dijë të vijë të raportojë në Kuvend se çfarë ka ndodhur në Bruksel, mos ta lej si marrëveshjen e Ohrit merre ose lëre siç kishte shkuar kjo marrëveshje. Por tash presim nesër kemi seancë tjetër besoj se javën e ardhmes do të dihen të gjitha se çfarë ka ndodhur do të vijë dhe të raportojë në Kuvendin e Kosovës. Por siç dihet kryeministri deri më tash nuk iu është përgjigjur as pyetjeve parlamentare në Kuvend”, ka deklaruar ajo për emisionin FIVE.

Krasniqi ka theksuar se kryeministri Kurti nuk iu është përgjigjur as pyetjeve parlamentare në Kuvend.

Po ashtu, ajo ka thënë se mund të ketë edhe çështje konfidenciale që nuk duhet treguar publikisht por sipas saj, duhet të përcjellën më shumë informacion për ta rritur transparencën në dialogun me Serbinë.

“Dialogu është proces që duhet të dimë se ka po shkojmë si vend, ai është kryeministër i gjithë qytetarëve të Kosovës, aspak nuk ka pasur transparencë ky është vet ai që ka lypur një dialog të hapur kur ne kemi qenë në pozitë. Deri tash nuk kemi asnjë njohje as një anëtarësim në organizatat ndërkombëtare kemi një regres politikën e jashtme”, ka thënë Krasniqi.

Ndër të tjera, ajo ka thënë se deri më tani nuk kemi pasur një kryeministër që “vendos kokë më vete”.

“As anëtarët e partisë së vet e nuk dinë se çfarë po ndodh sot”, ka deklaruar Krasniqi.