Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi tha se kryeministri Albin Kurti duhet të marrë mësim nga qeverisja, sipas tij, efikase e PDK-së.
Krasniqi tha se nga Qeveria Kurti nuk ka se çfarë të mësohet as për opozitarizëm dhe as për qeverisje.
“Nga Albin Kurti nuk kemi çfarë të mësojmë – asgjë, as për opozitarizëm e as për qeverisje. Do të ishte mirë që ai të kishe mësuar qeverisje efikase nga Partia Demokratike e Kosovës, sepse ne kemi qeverisur me vendin nga 2008 dhe nëse ka pasur ndonjë projekt të madh që është bërë në Kosovë ose që është inicuar ka ndodhur pikërisht në ato vite”.
Krasniqi duke komentuar deklaratën e mëparshme të Albin Kurtit në Kuvend ku kishte thënë se “opozita nuk ka aftësi të bëjë kritika” tha se opozitarizmi i Kurtit ka qenë sabotim i shtetit.
“Opozitarizmi i Kurtit nuk ka qenë opozitarizëm, ka qenë sabotim i shtetit. Gazi lotsjellës në Kuvend, mollotovi në oborret e institucioneve dhe dritaret e Qeverisë, bllokimi dhe pengimi i punës së zyrtarëve shtetërorë, pengimi dhe sulmi ndaj zyrtarëve policorë, të ambasadorëve dhe të tjera nuk janë mënyra të opozitarizmit që i bën Partia Demokratike e Kosovës. Opozitarizmi jonë bazohet në dije, kompetencë dhe veprime konkrete duke ofruar alternativa”.
“Cinizmin e Kurtit mundohem ta kuptoj. Është pjesë e karakterit të tij që ai e ka ndërtuar. E kuptoj, por nuk e arsyetoj arrogancën që e shpërfaq për shkak të fuqisë së tij të madhe që e ka pasur pas fitores së 14 shkurtit, por ajo çfarë do duhej të shihnim dhe përjetonim nga ai është qeverisja. Fatkeqësisht më së paku po e shohim këtë qeverisje”, tha ai në RTK.