Lideri i PDK-së, Memli Krasniqi, ka kujtuar ish kryeministrin dr. Bajram Rexhepi., në pesëvjetorin e vdekjes së tij, raporton Gazeta Blic.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se Rexhepi ishte i politikanit që gjithë përgatitjen e tij profesionale e personale e vuri në shërbim të Atdheut.
Ai ka thënë se do ta kujtojnë përherë njeriun si të përkushtuar dhe të drejtë, mikun, familjarin e dashur e politikanin e vendosur.
Postimi i tij i plotë:
Pesë vite më parë, më 21 gusht të vitit 2017, iku në amshim, miku im, ish-kryeministri, dr. Bajram Rexhepi.
Për ne, gjeneratën e re të aktivistëve e politikanëve, dr. Bajram Rexhepi ishte modeli i politikanit që gjithë përgatitjen e tij profesionale e personale e vuri në shërbim të Atdheut.
Doktor Bajrami, si mjek atdhetar që ishte afër ushtarëve të plagosur të UÇK-së gjatë luftës, politikan i respektuar që udhëhoqi Kosovën në një periudhë sfiduese të pas-luftës, një personalitet unifikues që shtroi rrugën e dialogut dhe bashkëpunimit ndër-partiak, mbi të gjitha, lider i përgjegjshëm e parimor – ishte shembull për tu ndjekur.
Trashëgimia politike dhe atdhetare e dr. Bajram Rexhepit, në të gjitha vitet e tij në shërbim ndaj vendit, si Mjek, Kryeministër, Kryetar i Komunës dhe Ministër i Punëve të Brendshme, kanë vetëm një emërues të përbashkët: shërbim ndaj qytetarëve!
Të tillë, të përkushtuar dhe të drejtë, do ta kujtojmë përherë njeriun tonë të mirë, familjarin e dashur e politikanin e vendosur.
Përjetësisht në mendjet dhe zemrat tona, Doktor!


