Sporti

Krasniqi kthehet sonte në ring, do të përballet me Silvan

05/04/2024 09:51
nga:E K

Robin (Haxhi) Krasniqi do të ngjitet sonte në ring, nëntë muaj pas meçit të fundit të cilin e zhvilloi në Kosovë.

Boksieri nga Kosova do të përballet me portugezin, Jorge Silva.

Ky meç do të zhvillohet në “Neue Sporthalle”, në Augsburg të Gjermanisë – teksa pritet të fillojë rreth orës 23:00.

Përballja mes tyre është e planifikuar për 10 raunde.

Meçi nuk është i vlefshëm për ndonjë titull në boks apo kualifikim për ndonjë titull, teksa i takon kategorisë gjysmë të rëndë.

Për Krasniqin do të jetë ky meçi i 61-të në boksin profesionist. Ai ka 53 fitore dhe shtatë humbje. 20 prej fitoreve i ka arritur me nok-aut.

37-vjeçari meçin e fundit e kishte zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku kishte triumfuar ndaj Nadjib Mohammedi, në një meç që ishte shoqëruar me polemika të shumta.

Në anën tjetër, 40-vjeçari nga Portugalia i ka 22 fitore dhe nëntë humbje në karrierë. 12 prej fitorve i ka me nok-aut.

Vlen të theksohet se sonte do të boksojnë edhe shqiptarë të tjerë si Granit Stein (Bylygbashi), Isuf Kelmendi, Kushtrim Tahirukaj e Atdhe Delijaj. Në total do të jenë nëntë meçe.

Mbrëmja e boksit është e organizuar nga vet ekipi i Robin Krasniqit.