Deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e LDK-së Rrezarta Krasniqi, ka kritikuar qasjen e Qeverisë Kurti në raport me dialogun me Serbinë.
Krasniqi, ka thënë se Kryeministri Albin Kurti ka shkelur të gjitha parimet e tij sa ishte pjesë e opozitës për dialogun.
“Për më keq, njëriu që është në krye të qeverisë ka shkelur edhe parimet e tij dhe të subjektit që e drejton, sepse sa ishte pjesë e opozitës, deklaroheshin se dialogu duhet të jetë i hapur, ndërkaq tani ne shohim se po ndodh e kundërta. E gjithë kjo fazë e dialogut me palen serbe e udhëhequr nga Qeveria Kurti, është përcjellur me mungesë totale të transparencës.
Kuvendi i Republikës së Kosovës si organi më i lartë legjislativ, është njoftuar i fundit për agjendën e takimeve në kuadër të dialogut dhe atë kryesisht përmes mediave, sepse qeveria ka ndërprerë komunikimin me ne si deputet, për këtë çështje”, tha Krasniqi.
Sipas saj, qeveria aktuale me mos njoftim parapak të Kuvendit të Republikës së Kosovës për agjendën e takimeve në kuadër të dialogut ka shkelur edhe një rezolutë e cila i obligon njofimin para dhe pas çdo takimi.
Deputetja Krasniqi ka kërkuar që të ndryshohet qasja e qeverisë në raport me dialogun duke e quajtur si të gabuar atë.
“Çështja e dialogut është temë me rëndësi të madhe për vendin, dhe karshi saj duhet të jeni me të përgjegjshëm dhe të ndryshoni këtë qasje të gabuar. Është e papranueshme të ketë dialog të fshehtë kur është në pyetje e ardhmja e vendit. Jeni të obliguar që të jeni më transparent edhe para qytetarëve, të cilët i patet mashtruar se kjo çështje nuk do të jetë në prioritetet e qeverisë tuaj, por që pastaj u bë”, tha ajo.
Po ashtu ajo ka përmendur edhe një nga zotimet e Kurtit, kur kishte deklaruar se dialogun do ta niste me serbët lokal për të vazhduar me drejtuesit e shtetit të Serbisë.
“Po ashtu ju jeni zotuar se kur të vini në pushtet dialogun do ta nisni “nga poshtë”, duke aluduar kështu tek serbët lokal, për të vazhduar me “ata lartë”, siç deklarohej dikur z. Kurti, për dialogun me drejtuesit e shtetit serb, por pasi erdhet në pushtet me nxitim niset dialogun dhe u takuat me Vuçiqin”, ka thënë Krasniqi.
Tutje ajo ka kërkuar nga Qeveria që të tregojë strategjinë e saj për mbylljen e dialogut.
“Ne çdo herë kemi qenë për dialog, por jo për një dialog pa fund. Është e rrugës të tregoni edhe strategjinë e qeverisë për mbylljen e dialogut, si dhe përiudhen kohore kur parashihet të përfundojë kjo çështje”, ka shtuar Krasniqi.
Seanca për debat parlamentar për çështjen e dialogut është thirrur me propozim të Grupit Parlamentar të AAK-së.