Lajme

Krasniqi kërkon reagim urgjent për ta parandaluar tragjedinë me pandeminë: Qeveria Kurti injoroi paralajmërimet e OBSH-së për përhapjen e variantit Delta

09/02/2021 14:30
nga:M K

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në një konferencë për media ka kërkuar reagim urgjent dhe angazhim maksimal të institucioneve shtetërore për ta ndalur tragjedinë nëpër të cilën po kalon Kosova në përballje me pandeminë Covid-19.

Ai tha se PDK është e gatshme që ta japë kontributin e saj në Kuvendin e Kosovës për të marrë vendime në ndihmë të qytetarëve dhe për tejkalimin sa më parë të kësaj tragjedie.

“Kosova është sot në një situatë të përkeqësuar pandemie për shkak të menaxhimit të dobët. Ata që janë marrë me hulumtimin e ecurisë së pandemisë, e dinë se kur nisi të përhapej varianti Delta, shkencëtarët botërorë paralajmëruan për rrezikun e tij, për ashpërsinë e tij, për shpejtësinë e shpërndarjes së tij. Dhe, bota u përgatit për ta luftuar atë. Sepse, i dinte karakteristikat e këtij varianti. Sepse, përhapja e tij ishte mes 60 deri 80 % më e lartë sesa variantet tjera. Sepse, nuk kursente as fëmijët. Sepse, ishte mutacion që ende nuk dihej se sa do t’i rezistonte vaksinës dhe sa do të parandalohej nga vaksinimi”, tha Krasniqi.

Ai theksoi se bota reagoi në mënyrën e duhur, por jo edhe Kosova, qeveria e së cilës i injoroi paralajmërimet nga OBSH-ja dhe institucioneve tjera shëndetësore ndërkombëtare.

“Më 29 qershor, në Kosovë janë shënuar dy rastet e para me variantin Delta, trend ky që ka filluar të përhapet e të shtohet në mënyrë drastike. Më 30 korrik, 90 % e rasteve aktive ishin me këtë variant. Për ta kuptuar në shifra shkallën e përhapjes së infektimit nga varianti Delta, mjafton të analizohet periudha një-mujore korrik-gusht. Më 31 korrik, në Kosovë patëm 92 raste pozitive, me gjithsej 442 raste aktive në nivel vendi. Më 31 gusht, patëm 1.383 raste pozitive, me gjithsej 26.886 raste aktive në nivel vendi. Por, mjerisht, të gjitha këto paralajmërime nuk i pa Qeveria e Kosovës, nuk i kushtoi vëmendje rrezikut të përhapjes së këtij varianti, dhe nuk ndërmori masat adekuate për të parandaluar rrezikun e fluksit të infektimit”, tha Krasniqi.