Lajme

Krasniqi: Fushata zgjedhore më e moderuar, partitë po lënë hapësirë për bashkëpunim pas zgjedhjeve

12/23/2025 13:43
nga:Sh R

Analisti politik Albert Krasniqi vlerëson se fushata aktuale zgjedhore po karakterizohet nga një gjuhë dukshëm më e moderuar e partive politike, në krahasim me fushatën e kaluar të shkurtit, e cila ishte shoqëruar me retorikë më të ashpër dhe polarizuese.

Sipas Krasniqit, partitë politike tani janë më të kujdesshme në cilësimet dhe etiketimet që u bëjnë kundërshtarëve, pasi kanë nxjerr mësime nga situata e paszgjedhjeve të kaluara, kur kuvendi u bllokua dhe mungoi bashkëpunimi për formimin e institucioneve.

“Njëra prej arsyeve që partitë janë më të kujdeshme me gjuhën që po e perdorin për të lënë hapësirë, për bashkëpunim për t’i formuar institucionet pas zgjedhjeve. Kjo mbase ka të bëjë dhe me sjelljen që pastaj mënyren ashtu siç u bllokua kuvendi ku partitë politike ishin shumë me hezituese që të bashkëpunojnë dhe për shkak të  gjuhës së përdorur gjatë fushatës zgjedhore. Tani këto janë të vetëdijshme që u duhen partnerë në qeverisje, duket që kjo ka ndikuar dhe në mënyrën se si bëjnë fushatën dhe gjuhën që e kanë përdorur”, tha Krasniqi për Indeksonline.

Një element tjetër që bie në sy, sipas Krasniqit, janë premtimet e shumta për subvencione dhe rritje pagash. Ai vlerëson se këto premtime po bëhen pjesërisht si reagim ndaj sjelljes së Lëvizjes Vetëvendosje gjatë kohës sa ishte në pushtet, kur u bënë rritje pagash në prag të fushatës zgjedhore.

“Tani partitë e tjera, për ta amortizuar këtë sjellje të VV-së, po japin premtime që shpesh nuk kanë bazë të qëndrueshme financiare dhe janë të vështira për t’u realizuar”, thotë Krasniqi.

Sipas tij, një aspekt i tretë dallues i kësaj fushate është orientimi i madh drejt votuesve në diasporë. Ai thotë se brenda Kosovës ka një lodhje dhe mungesë interesi të qytetarëve për premtimet zgjedhore, ndërsa partitë po e shohin diasporën si potencial të rëndësishëm elektoral.

“Duke pasur parasysh se rreth 300 mijë qytetarë nga diaspora vijnë në Kosovë gjatë fundvitit, duket se fushata është më e orientuar drejt tyre, ndërsa qytetarët që jetojnë në Kosovë sikur po mbeten në plan të dytë”, shton ai.

Krasniqi thekson se kujdesi në gjuhë dhe moderimi i diskursit politik lidhen edhe me strategjinë e Vetëvendosjes, e cila sipas tij ka arritur maksimumin e votave nga polarizimi shoqëror dhe tani po tenton të zgjerojë bazën elektorale përmes një gjuhe që promovon stabilitet dhe normalizim të politikës.

“Mendoj që edhe VV-ja e ka mbrri atë  maksimimun e votave që mund t’i marr prej polarizmit shoqëror dhe tani po mundohet përmes  një gjuhe të moderuar të projektoj një stabilitet dhe të mund të zgjërojë bazën e saj të përkrahësve, elektoratit i cili kërkon më  shumë setabilitet dhe normalizim të politikës se sa polarizim dhe konfrontime në mes tyre”, tha Krasniqi.