Lajme

Krasniqi e Tahiri sjellin porosinë e Thaçit nga Haga: Besoni në Kosovë

05/21/2026 18:04
nga:G B

Ish-kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi dhe ish-deputeti i kësaj partie, Abelard Tahiri, në takime të ndara, e kanë vizituar në Hagë ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Për këtë vizitë ka njoftuar Krasniqi, duke thënë se është e rëndësishme për të qenë afër ish-krerëve të UÇK-së në këtë fazë finale të procesit.

“Për të qenë pranë tij dhe shokëve të tij edhe në këtë fazë finale të procesit dhe, aq sa mundemi, për ta ndarë sadopak me ta këtë rrugëtim të gjatë sfidash dhe padrejtësish. Dhe për t’u thënë: nuk jeni dhe nuk do të jeni kurrë vetëm! Ato që mbeten gjithmonë të njëjta janë forca, qetësia dhe optimizmi i Presidentit Thaçi dhe i çlirimtarëve tanë.”, ka shkruar Krasniqi.

Ai ka thënë se si në vizitën e parë, edhe sot Thaçi mbetet i palëkundur, besimplotë në drejtësi dhe me bindjen se shumë shpejt, tashmë çështje ditësh, do të jetë sërish në mesin e qytetarëve të Kosovës.

“Ka momente kur qëndresa shndërrohet në frymëzim, e ky është padyshim një prej tyre. Nga Presidenti keni të fala dhe një porosi: Besoni në Kosovë!”, ka shkruar ai.