Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi thotë se dialogu ka dalë nga binarët dhe ka kaluar në diskutime për vendimet e brendshme që i marrin institucionet e Kosovës.
Ajo në një prononcim për Gazeta Blic thotë se dialogu duhet të zhvillohet për njohje reciproke, jo për tema teknike.
“Dialogu ka dalë nga binarët, ka kaluar në diskutime për vendimet e brendshme që i marrin institucionet e Kosovës. Dialogu duhet të zhvillohet për njohje reciproke, jo për tema teknike”, tha ajo.
Deputetja potencon se kjo qeveri ka krijuar probleme të reja, vetëm që të largohet nga dështimet e qeverisë, pasi që janë në vitin e fundit të mandatit dhe nuk kanë të përfunduar asnjë punë.
“Besnik Bislimi tha në takim e fundit se ka marrëveshje për dinar, pa e publikuar në detaje se për çfarë marrëveshja janë pajtuar, dhe si do të zbatohet ajo. Kjo qeveri krijoi probleme të reja, vetëm për të ikur nga dështimet e qeverisë, pasi janë në vitin fundit të mandatit dhe asnjë punë nuk e kanë përfunduar dhe se të gjitha po i bëjnë për zgjedhje, sepse nuk kanë se çfarë të paraqesin në fushatë si punë të tyre. Tani më shumë po merren me zgjedhjet në Maqedoni Veriore, se me situatën e brendshme”, u shpreh Krasniqi për Gazeta Blic.
Tutje, Krasniqi shton se deri më sot asnjë raport kredibil ndërkombëtar nuk e paraqet Kosovën mirë.
“Asnjë raport kredibil ndërkombëtar nuk e paraqet Kosovën mirë, as në nivel të demokracisë, as në luftën kundër korrupsionit, e as në zhvillim ekonomik”, potencon ajo.
Deputetja vlerëson se Kosova ka ngecur në rrugën drejt demokratizimit duke mbetur në nivelin e njëjtë me atë të vitit të kaluar.
“E pamë raportin e fundit nga Raporti i Freedom House që doli se problemet me Serbinë, ndër pengesat kyçe në rrugën e Kosovës përpara.Kosova ka ngecur në rrugën drejt demokratizimit duke mbetur në nivelin e njëjtë me atë të vitit të kaluar”, shtoi ajo.
Krasniqi tregon se si LDK do ta ftojë Kurtin që të raportojë në Kuvend për dialogun, përgjatë këtyre tri viteve.
“Ne si LDK do e ftojmë të raportojë në Kuvend Kurtin për dialogun, për këto tri vite. Ani pse e ka edhe obligim të vijë në Kuvend edhe pa e ftuar një gjë të tillë nuk po e bën ai duke e mbajtur Kuvendin, dhe qytetarët të pa informuar për këtë proces”, përfundoi Krasniqi për Gazeta Blic.