Lajme

Krasniqi: Afrim Bunjaku ishte simbol i guximit, nderit dhe besnikërisë së ndaj atdheut

09/24/2024 13:21
nga:Y I

Në njëvjetorin e vrasjes së policit Afrim Bunjaku, kryetar i PDK-së, Memli Krasniqi, ka vizituar familjen e heroit të Kosovës dhe ka bërë homazhe te varri i tij.

Ai ka vlerësuar se Bunjaku ishte simbol i guximit, nderit dhe besnikërisë së palëkundur ndaj atdheut.

Në profilin e tij në “Facebook”, Krasniqi ka shkruar se Afrim Bunjaku përballë terroristëve mbrojti tokën e Kosovës.

“Sot, në njëvjetorin e rënies së rreshterit të Policisë së Kosovës, Heroit Afrim Bunjaku, për të nderuar sakrificën e tij sublime, vizituam familjen Bunjaku dhe bëmë homazhe pranë varrit të tij në Samadrexhë të Vushtrrisë. Guximi vetëmohues i Afrimit në shërbim të atdheut, ka gdhendur përgjithmonë emrin e tij në zemrat e popullit të Kosovës. Afrimi, më shumë se zyrtar i Policisë së Kosovës, ishte një simbol i guximit, nderit dhe besnikërisë së palëkundur ndaj atdheut. Përballë rrezikut kundër terroristëve në Banjskë, ai qëndroi i vendosur për të mbrojtur tokën për të cilën kanë rënë mijëra dëshmorë ndër breza”, ka shkruar Krasniqi.