Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, duke folur në seancën e Kuvendit, tha se veprimet e Qeverisë së Kosovës në veri të vendit u kryen “krye më vete”, pa bashkërendim me aleatët.
“Për herë të parë na ke sjellë në një situatë të na dënojë publikisht sekretari amerikan i Shtetit, Blinken. Jo vetëm ai, por ai është më e rëndësishmi sepse raporti ynë me SHBA-në është i shenjtë. Nuk të lejojmë ta rrezikosh atë, sepse është i shenjtë”, tha Krasniqi, duke iu referuar deklaratës së Antony Blinkenit.
“Sovranitetin nuk mund ta mbash as në zyrën tënde pa e pasur mbështetjen e SHBA-së”, tha Krasniqi.
Sipas tij, edhe mbajtja e procesit zgjedhor në katër komunat në veri të Kosovës – Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut – erdhi për shkak të “gabimeve të Kurtit”, duke iu referuar vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e veturave nga targa KM në RKS që çoi në dorëheqjen e punonjësve serbë nga institucionet e Kosovës.
“Në fund je tërhequr, pse nuk po e përmend?! Nuk ka askund targa. Dhe, në fund, çka ka ndodhur? Të shtë dashur të hyje në proces zgjedhor”, shtoi ai.


