“Ramushi e ka kry punën më të madhe, ne duhet të ia dimë për nder krejt Kosova, sepse as vetë nuk e di se si ka arritur që t’i bindë SHBA-të, që të pranojnë që të bëhet transformimi i FSK-së në Ushtri, pa e ndryshu Kushtetutën. Këtë punë e kreu Ramushi, edhe ka merita të veçanta për këtë.” -Isa Mustafa, Ish-Kryeministër i Kosovës
Në ditët e luftës në Kosovë, në një kohë kur vendi përballej me dhunë të hapur dhe spastrim etnik, Ramush Haradinaj nuk zgjodhi rrugën e lehtë, as heshtjen, as largimin, zgjodhi frontin.
Ai la gjithçka pas, familjen, rehatinë, sigurinë personale dhe mori mbi vete barrën më të rëndë që mund ta marrë një njeri: përgjegjësinë për lirinë e vendit të vet. Në ditët më të errëta për Kosovën, Ramushi ishte aty ku duhej në luftë, përballë rrezikut, krah vëllezërve të tij e shokëve që besonin se liria fitohet vetëm duke e kërkuar me guxim, thuhej në njoftim të AAK.
Pas luftës, Ramush Haradinaj nuk u distancua, ai vazhdoi betejën në një front tjetër, ndërtimin e një shteti të fortë e sovran.
Vlerësimet për Ramush Haradinajn nuk kanë ardhur vetëm nga bashkëluftëtarët dhe qytetarët, por edhe nga figura të rëndësishme të politikës dhe sigurisë ndërkombëtare.
Angazhimi i tij gjatë luftës në Kosovë ishte i njohur dhe i ndjekur nga afër edhe nga faktorë kyç ndërkombëtarë. Këtë e ka konfirmuar ish-zyrtari i lartë amerikan James Rubin, duke bërë të ditur se kontaktet mes Haradinajt dhe agjencive amerikane kishin nisur që në vitin 1998. “Deri në vitin 1999, nuk e kam ditur se CIA kishte kontakt me Haradinaj. Por, atëherë e mësova se kishin kontakt qysh prej vitit 1998,” ka deklaruar Rubin.
Wesley Clark, komandant suprem i aleatëve në Evropë, e konsideronte Ramush Haradinaj si një komandant të fuqishëm dhe të pavarur si natyrë.
Një nga momentet më të rëndësishme të qeverisjes së tij “Haradinaj II” mbetet transformimi i
FSK-ës në Ushtri, një proces i ndjeshëm, por i realizuar në koordinim të plotë me aleatët perëndimorë dhe pa ndryshime kushtetuese. Ky hap shënoi një pikë kthese historike për sigurinë dhe sovranitetin e Kosovës.
Sot, Ramush Haradinaj rikthehet para qytetarëve me bindjen se Kosova ka nevojë për një qeverisje të fortë, të përgjegjshme dhe qartësisht pro-perëndimore. Në shpalljen e kandidaturës për zgjedhjet e 28 dhjetorit, ai theksoi se vendimi i tij buron nga nevoja për ta nxjerrë vendin nga stagnimi politik, ekonomik dhe diplomatik, thuhet në njoftimin e AAK.
Vizioni i tij ndërtohet mbi katër shtylla kryesore:
1. Anëtarësimin urgjent të Kosovës në NATO,
2. Zhvillimin e hovshëm ekonomik,
3. Përmbylljen e dialogut me Serbinë me njohje reciproke dhe
4. Ndërtimin e Kosovës si shtet të jetueshëm, jo si vend që braktiset nga të rinjtë e tij.
Kjo kandidaturë mbështetet në një program të gjerë qeverisës, të hartuar me ekspertë dhe të fokusuar në nevojat reale të qytetarëve: punësim dhe paga dinjitoze, energji të sigurt, arsim cilësor dhe shëndetësi funksionale.
Krah lirisë. Krah aleatëve. Krah teje.
https://www.facebook.com/share/v/1FmLbJhTPy/?mibextid=wwXIfr

