Richard Kraemer, bashkëpunëtor i Institutit Amerikan për Hulumtime të Politikës së Jashtme, beson se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk është humbje kohe dhe se një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme nga të dyja palët do të shtynte të dy vendet drejtë anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Sot Kosova është shtet me kufij të përcaktuar dhe pavarësia e saj është njohur nga shumica e komunitetit ndërkombëtar. Për Serbinë, qytetarët e Serbisë, si dhe për qytetarët e Kosovës, përfitimi më i madh do të ishte nëse një rezultat i tillë konfirmohet përmes një referendumi apo ndonjV formë tjetër të mbështetjes publike, në të cilën do të përfshiheshin të dy palët. Për të konfirmuar statusin e Kosovës si shtet i pavarur, duke pasur parasysh lidhjen e serbëve me atë vend”, tha Kraemer.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka më shumë se dhjetë vjet që po zhvillohet dhe sipas Kraemerit, procesi nuk është humbje kohe, por ai thotë se është i shqetësuar sepse të gjitha çështjet e hapura që kanë të bëjnë me Kosovën janë në favor të Vladimir Putinit.
“Unë mendoj se shumica e qytetarëve të Kosovës do të pajtoheshin me mua, sepse ata duan të njihen si anëtarë të bashkësisë ndërkombëtare. Besoj se një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme do t’i shtynte të dyja palët drejtë Bashkimit Evropian. Fakti që Rusia nuk është aq e përfshirë në këtë procesi është i rëndësishëm dhe i dobishëm. Shqetësimi im për Rusinë dhe Kosovën është se të gjitha çështjet e pazgjidhura janë në favor të Putinit. Përderisa kjo çështje është e pazgjidhur, Moska ka mundësinë të ndërhyjë në aspekte të ndryshme të shoqërisë serbe. Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina, nëpërmjet Kishës Ortodokse Serbe , partitë politike pro-ruse dhe OJQ-të, të gjitha këto janë mjetet që Moska po përdor për të parandaluar zgjidhjen e suksesshme të çështjeve të hapura të Kosovës dhe të rajonit”, shtoi ai.
Kraemer tha se për zgjidhjen e dialogut është e nevojshme që aktorët në kryeqytetet e mëdha evropiane të jenë më të interesuar dhe të angazhohen në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe dhe një mundësi për këtë u krijua pasi demokracitë perëndimore krijuan një front të përbashkët kundër pushtimit të Ukrainës nga ana e Rusisë.
“Mendoj se duhet bërë pak më shumë trysni, pra”dashuri e fortë” në bisedimet me përfaqësuesit e Beogradit të cilët pretendojnë se duan zgjidhjen e kësaj çështjeje. Jam i sigurt se ka potencial”, tha ai.
Kraemer beson se situata në Ukrainë do të ndikojë në shumë rrugë në Ballkanin Perëndimor.
“Po vihen vijat dhe do të shohim kush ku do ti shkelë. Varësisht se si do të vendosin elitat që udhëhiqen nga interesat e tyre, do të shohim ndryshime edhe në opinionin publik”, theksoi Kraemer.


