Lajme

KQZ vendos: Gjithë Kosova shkon në rinumërim

01/19/2026 14:05
nga:G B

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim që i gjithë vendi të shkojë në rinumërim.

Ky vendim për të rinumëruar plotësisht 28 komunat, vjen pasi ky institucion kishte vendosur fillimisht që të rinumëroheshin vetëm nga 10% e vendvotimeve të tyre.

KQZ ka marrë vendim po ashtu për ndërprerjen e mandatit për përfaqësuesit e subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Prizrenit.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se rinumërimi i pjesshëm është ndërmarrë me qëllim të garantimit të saktësisë së rezultateve zgjedhore dhe për të siguruar që vullneti i qytetarëve të Republikës së Kosovës të regjistrohet dhe të reflektohet në mënyrë të saktë, ashtu siç është shprehur prej tyre në fletëvotime.

“Dua të rikthejë në vëmendje se, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me vetëiniciativë, ka zhvilluar procesin e verifikimit të rezultateve zgjedhore nga disa vendvotime dhe pas kësaj ka marrë vendim për rinumërimin e fletëvotimeve në 914 vendvotime.

Sipas vendimit të KQZ-së, të datës 13 janar, në 10 komuna do të bëhet rinumërimi i të gjitha vendvotimeve, ndërkaq për 28 të tjera vetëm nga 10% të vendvotimeve. Ky proces është në zhvillim e sipër.

KQZ, në përmbushje të mandatit të saj kushtetues dhe ligjor, mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor, në transparencë dhe në ruajtjen e besimit të publikut në procesin zgjedhor.

Për të qenë plotësisht transparent në këtë proces, rezultati i çdo vendvotimi të rinumëruar është pasqyruar në platfomën e KQZ-së për rezultate.

Siç e theksova në fillim, gjatë ditës së sotme, kemi pranuar një raport pas rinumërimit të më shumë se gjysmës së vendvotimeve sipas vendimit të datës 13 janar.

Sipas raportit, kur flasim për votat e subjekteve politike, ndryshimet e identifikura janë minimale dhe pothuaje të papërfillshme. Kjo do të thotë se rezultatet e subjekteve janë numëruar dhe paraqitur saktë.

Për dallim nga votat për subjektet politike, të dhënat për kandidatët pas rinumërimit, paraqesin një shkallë të lartë të pasaktësive në numërim.

Sipas raportit nga vendvotimet e rinumëruara në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, rezulton se pas rinumërimit në QNR janë zbritur nga rezultati 36,007 vota për kandidatë, të cilat u ishin regjistruar atyre në QKN. Po ashtu, pas rinumërimit u janë shtuar 20,978 vota kandidatëve, të cilat nuk ishin regjistruar saktë në QKN.” – tha Radoniqi.