Lajme

KQZ: Përfundon rinumërimi i 5 vendvotimeve, nis numërimi i votave me kusht

10/21/2025 18:10
nga:G B

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se në pjesën e parë të ditës së martë, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) është përmbyllur procesi i rinumërimit të fletëvotimeve të 5 vendvotimeve, sipas vendimit të PZAP-it, ndërsa ka nisur numërimi i votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta.

Sipas njoftimit, “vendvotimet e rinumëruara i takonin komunave të ndryshme, si: Mitrovicë e Jugut (1110/01 dhe 1110/06); Kamenicë (1019/01 dhe 1020/01) dhe Podujevë (1807/02)”. KQZ bën të ditur se “rezultatet nga ky rinumërim janë paraqitur në platformën për rezultate https://resultslocal2025.kqz-ks.org/

KQZ njofton gjithashtu se “në QNR është duke vazhduar procesi i numërimit të fletëvotimeve që i takojnë votimit me kusht, ndërkaq pas tyre planifikohet fillimi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi i personave me nevoja të veçanta”. Edhe këto rezultate, sipas KQZ-së, “janë duke u paraqitur në platformën për rezultate, në rubrikën ‘Rezultate QNR – Votimi me kusht’”.

“Votimi me kusht është realizuar në 54 vendvotime speciale në 38 komuna, ndërsa votimi i personave me nevoja të veçanta është zhvilluar jashtë vendvotimeve, përmes ekipeve mobile gjatë ditës së zgjedhjeve,” thuhet në njoftim.

KQZ bën të ditur se “fillimisht, planifikohet që të bëhet numërimi i fletëvotimeve me kusht nga komunat Deçan, Istog, Kaçanik, Fushë Kosovë, Kamenicë, Shtërpcë, Mamushë, Hani i Elezit, Ranillug dhe Mitrovicë e Veriut, në të cilat tashmë është përmbyllur skanimi i listave të votuesve”.

Sipas njoftimit, “në votimin me kusht janë më shumë se 2,119 zarfe me fletëvotime që i takojnë dy lloje të zgjedhjeve, ndërkaq numri i votuesve të regjistruar me nevoja të veçanta është më shumë se 3,467”.

Gjithashtu, KQZ njofton se “në QNR është duke u zhvilluar procesi i skanimit të Listës së Votuesve”. Ky hap, siç thuhet, “është thelbësor për garantimin e integritetit të procesit zgjedhor, pasi skanimi mundëson krahasimin e pjesëmarrësve në votim në vendvotimet e rregullta me ata që kanë votuar me kusht”.

“Qëllimi është të identifikohen rastet eventuale kur një person ka votuar dy herë: në vendvotimin e rregullt dhe në atë me kusht,” përfundon njoftimi i KQZ-së.