Lajme

KQZ: Në zgjedhjet lokale të 17 tetorit më pak fletëvotime të pavlefshme se në vitin 2017

11/04/2021 15:22
nga:M K

Në zgjedhjet lokale të cilat u mbajtën më 17 tetor, numri i fletëvotimeve të pavlefshme ka shënuar rënie, krahasuar me zgjedhjet e njëjta, ato lokale të vitit 2017.

Kjo është bërë e ditur nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka thënë se numri më i ulët i fletëvotimeve të pavlefshme është shënuar në të dy llojet e zgjedhjeve.

Sipas Elezit në zgjedhjet për Kryetarë të Komunave numri i fletëvotimeve të pavlefshme është rreth 13 mijë e 100, ndërsa në ato për Kuvende Komunale janë rreth 56 mijë e 200 të tilla.

Në këto statistika, KQZ nuk ka përfshirë fletëvotimet që votuesit i kanë lënë të zbrazëta kur i kanë hedhur në kutinë e votimit.

“Në bazë të statistikave nga shpallja e rezultateve përfundimtare, numri i fletëvotimeve të pavlefshme në Zgjedhjet për Kryetarë të Komunave është 13 mijë apo 1.61%, ndërsa kjo shifër është më e lartë në Zgjedhjet për Kuvende Komunale. Pa llogaritur fletëvotimet e zbrazëta, sipas të dhënave, janë rreth 56 mijë e 200, apo 6.91%, fletëvotime të pavlefshme në të gjithë Kosovën në Zgjedhjet për Kuvende Komunale”, tha Elezi.

Sipas tij, nëse këto të dhëna krahasohen me zgjedhjet lokale të vitit 2017, vërehet se numri i fletëvotimeve të pavlefshme është më i ulët në zgjedhjet e 17 tetorit.

“Nëse këto të dhëna i krahasojmë me zgjedhjet lokale paraprake, të vitit 2017, atëherë vërejme se në këto zgjedhje kemi numër më të ulët të fletëvotimeve të pavlefshme në Zgjedhjet për Kryetarë të Komunave e poashtu edhe në Zgjedhjet për Kuvende Komunale.Në vitin 2017, pa llogaritur fletëvotimet e zbrazëta, numri i fletëvotimeve të pavlefshme në Zgjedhjet për Kryetarë të Komunave ka qenë 13 mijë e 814 fletëvotime apo 1.65%. Ndërsa, në Zgjedhjet për Kuvende Komunale ky numër ka qenë 66 mijë e 151 apo 7.97%”, tha ai.

Sipas tij, KQZ-ja akoma nuk ka një raport përmes së cilit do të bëheshin të ditura arsyet dhe natyra e pavlefshmërisë së fletëvotimeve, raporton Ekonomia Online.

“Pas çdo procesi zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve analizon aspektet e ndryshme dhe në këtë drejtim bën edhe analizimin e fletëvotimeve të pavlefshme për të evidentuar arsyet dhe natyrën e pavlefshmërisë së këtyre fletëvotimeve.Nga proceset e kaluara zgjedhore, gjatë analizimit të fletëvotimeve të pavlefshme të Zgjedhjeve për Kryetar apo për Kuvende, kemi vërejtur raste kur është votuar më shumë se një kandidat apo më shumë se një subjekt politik; dëmtim të qëllimshme të fletëvotimeve; fletëvotime të paplotësuara apo edhe fletëvotime të vlefshme, por që janë shpallur si të pavlefshme nga këshilli i vendvotimit”, njoftoi Elezi.

Të mërkurën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve Lokale për 38 Kuvendet Komunale. Afati për paraqitjen e ankesave në PZAP përfundon të enjten pasdite.