Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se kanë nisur programin disaditor për trajnimin e stafit dhe trajnerët që do të angazhohen nëpër komuna në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Sipas KQZ-së, programi i trajnimit është i fokusuar në detyrat dhe përgjegjësitë ligjore të personelit të angazhuar gjatë fazave të ndryshme të procesit zgjedhor.
“Gjithashtu, ky program ka për qëllim t’i përgatisë stafin dhe trajnerët me njohuritë adekuate për: procedurat zgjedhore, detyrat, përgjegjësitë dhe rolin e trajnerëve në procesin zgjedhor; procedurat e votimit dhe numërimit në vendvotim”.
“Rolin, detyrat dhe përgjegjësitë ligjore të anëtarëve të Këshillave të Vendvotimit; procedurat për votimin me kusht dhe votimin e personave me nevoja dhe rrethana të veçanta; procedurat e votimit jashtë vendit”
“Numërimin e votave të kandidatëve për deputetë në Qendrat Komunale të Numërimit; roli, detyrat dhe përgjegjësitë ligjore të numëruesve në QKN; procedurat e paketimit të materialit zgjedhor dhe dorëzimin e tyre”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Tutje, KQZ-ja tha se në fazën e ardhshme të programit të trajnimit, pas emërimit nga KQZ, është trajnimi i anëtarëve të Këshillave të Vendvotimit, të cilët sipas tyre, do të angazhohen në procesin e votimit brenda dhe në përfaqësitë diplomatike.
“Gjithashtu, gjatë javëve në vazhdim, KQZ do të mbajë seanca të trajnimit edhe për anëtarët e Ekipeve Mobile që do të angazhohen për procesin e votimit të personave me nevoja dhe rrethana të veçanta dhe në Qendrat Komunale të Numërimit”.
“Gjatë muajit tetor të vitit të kaluar, KQZ ka përmbyllur seancat e trajnimit për më shumë se 250 anëtarë të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve nga 38 komuna të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.