KOSTT ka paralajmëruar mundësi për reduktime të rrymës në disa komuna të mëdha të vendit, si pasojë e rritjes së ndjeshme të konsumit të energjisë elektrike gjatë sezonit dimëror.
Sipas njoftimit të KOSTT-it, sistemi elektro-energjetik i Kosovës po përballet me ngarkesa të shtuara, veçanërisht gjatë orëve të pikut.
Krahasuar me vitin e kaluar, konsumi i energjisë elektrike ka shënuar rritje prej 14.33%, ndërsa ngarkesa maksimale ka arritur në 1468 MË, e regjistruar dje, në kushte kur temperaturat nuk kanë qenë shumë të ulëta.
Kjo, sipas KOSTT-it, tregon se në ditët më të ftohta konsumi mund të rritet edhe më tej.
Njoftimi i plotë:
Sistemi Elektro-Energjetik i Kosovës gjatë sezonit dimëror po përballet me rritje të ndjeshme të konsumit të energjisë elektrike, veçanërisht në orët e pikut. Krahasuar me vitin e kaluar, konsumi ka shënuar rritje prej 14.33%, ndërsa ngarkesa maksimale prej 1468 MË është arritur dje, në kushte kur temperaturat nuk kanë qenë shumë të ulëta, çka tregon se në ditët më të ftohta konsumi mund të rritet edhe më tej.
Kërkesa më e lartë për energji elektrike regjistrohet në intervalet 16:00–20:00 dhe 22:00–23:00. Në këtë kontekst, KOSTT fton qytetarët, institucionet dhe bizneset që, sipas mundësive të tyre, të ndërmarrin çdo veprim praktik që ndihmon në uljen e konsumit dhe të ngarkesës së sistemit. Kjo përfshin përdorim më të kujdesshëm të pajisjeve elektrike, zhvendosje të konsumit jashtë orëve të pikut dhe përdorim sa më efikas të energjisë në përgjithësi.
Sipas të dhënave të sistemit, ditëve të fundit zonat me ngarkesë më të lartë janë nënstacionet Rahovec (përfshirë zonën e Malishevës), Prizreni 1, Gjilani 1 dhe Lipjani. Në këto zona kërkohet kujdes i shtuar dhe bashkëpunim i qytetarëve për të shmangur mbingarkesat dhe për të ruajtur furnizimin e qëndrueshëm me energji elektrike.
Operimi i sistemit në kushte mbingarkese mund të imponojë zbatimin e reduktimeve të kontrolluara dhe të përkohshme të furnizimit, si masë teknike e domosdoshme për mbrojtjen e stabilimenteve dhe aseteve kritike të sistemit elektro-energjetik, të cilat sigurojnë furnizimin me energji elektrike.
Në këto raste, qytetarët udhëzohen me mirëkuptim që të largojnë pajisjet elektrike nga rrjeti deri në rikthimin e furnizimit, me qëllim mbrojtjen e tyre dhe mundësimin e rikthimit sa më të shpejtë dhe të sigurt të furnizimit normal.
Për transparencë dhe informim të vazhdueshëm, KOSTT do të njoftojë publikun rregullisht lidhur me gjendjen e sistemit elektro-energjetik dhe veprimet e ndërmarra për ruajtjen e stabilitetit.


