Shkruan: Ramush Haradinaj
KOSOVA (1999-2020)
E shkatërruar tërësisht nga diskriminimi afatgjatë dhe lufta dy vjeçare, Kosova përveç lirisë nuk kishte asgjë më 12 qershor 1999. Rruga e Kosovës për ndërtim dhe zhvillim gjatë këtyre dy dekadave ishte shumë e vështirë dhe e penguar jo vetëm nga mungesa e kapaciteteve dhe mundësive ekonomike por edhe sfidat e shumta politike që ndërlidhen me statusin e saj dhe luftën që vazhdon t’i bëhet nga Serbia dhe aleatët e saj. Ndërtimin dhe arritjet e Kosovës i bën njerëzit e saj bashkë me aleatët të cilët kurrë nuk ju ndan popullit të Kosovës
Megjithatë:
- Përderisa në vitin 1999 Kosova nuk kishte asnjë institucion e as administratë publiken, në vitin 2020 Kosova kishte të ndërtuar administratë funksionale dhe administratë profesionale publike prej 80000 të punësuarve.
- Përderisa në vitin 1999 Kosova nuk kishte polici dhe fillimisht policët u rekrutuan me një trajnim tremujor, në vitin 2020 Kosova kishte shërbimin policor ndër shërbimet më profesionale në rajon.
- Përderisa në vitin 1999 Kosova nuk kishte shërbim doganor e as administratë tatimore, në vitin 2020 shërbimi doganor e administrata tatimore ishin më të avancuarat në rajon.
- Përderisa në vitin 1999 Kosova nuk e kishte asnjë rrugë në nivel të duhur dhe asnjë autorrugë, në vitin 2020 Kosova ishte afër rrumbullakësimit të infrastrukturës rrugore
- Përderisa në vitin 1999 Kosova nuk e kishte asnjë shkollë operacionale dhe pa asnjë mundësi shkollimi cilësor, në vitin 2020 pothuajse e ka të përmbyllur ndërtimin e infrastrukturës shkollore.
- Përderisa në vitin 2002 buxheti i Kosovës ishte 200 milion euro, në vitin 2020 buxheti i Kosovës ishte 2.4 miliard Euro.
- Përderisa në vitin 1999 Kosova ishte protektorat ndërkombëtar i OKB pa prejudikim të qartë për statusin final të saj, plot “militanë të Vetëvendosjes” nuk besuan në bisedimet e Rambujes e as të Vjenës e as në qëllimet e mira të vendeve aleate kurse lidershipi vendor u akuzua për tradhti kombëtare. Në vitin 2020 Kosova ishte shtet sovran dhe i pavarur, i njohur nga 116 shtete me 33 ambasada në gjithë botën dhe me status të respektuar dhe privilegjuar nga shtetet e botës demokratike.
- Përderisa Kosova edhe gjatë luftës u përball me plot kurthe dhe oferta për “aleatë” të rinj të bazuar në religjion, ideologji majtiste antiglobaliste apo riorientim tjetër të rrugës sonë, deri në vitin 2020 Kosova ruajti me fanatizëm rrugën e integrimeve EuroAtlantike dhe forcoi miqësinë me SHBA dhe vendet tjera të NATOs dhe aspiron fuqishëm anëtarësimin e plotë në të gjitha organizatat Euro Atlantike
- Përderisa në vitin 1999 nën ombrellën e OKB me shumë vështirësi nga UÇK u krijua TMK, që nga viti 2018 Republika e Kosovës ka ushtrinë e saj të trajnuar dhe zhvilluar nën ombrellën e NATOS dhe me krenari ushtarët e saj përfaqësojnë Kosovën në misione paqësore nëpër botë.
Por sot ku është Kosova:
- Që nga 14 shkurti i 2021 Kosova është në një rrugë të papritur dhe të paparë të regresit dhe të përkeqësimit të çdo teme politike dhe të çdo fushe të jetës;
- Në emër të ndryshimit dhe duke shfrytëzuar lodhjen qytetare nga politika e gjatë dhe e vështirë e tranzicionit, Albin Kurti dhe Vetëvendosje fitoi zgjedhjet dhe krijoi shpresa dhe ëndrra për rininë që tash heshturazi zhgënjimin po e shpreh duke e braktisë Kosovën si kurrë më parë;
- Albin Kurti dhe partia e tij urrejti dhe mbiu farë urrejtjeje në çdo njeri të Kosovës dhe në çdo të arritur që kishte Kosova në 20 vitet e fundit;
- Përmes rrjeteve sociale, falanga e tij fyu, linçoi dhe përdhosi çdo oponent politik, çdo gazetar dhe më e keqja çdo zyrtar të shteteve më të fuqishme në botë;
- Rivalët politikë kurrë nuk i pa si konkurrentë idesh por si armiq që duhet të luftohen në çdo formë, me protesta, me linçime, me shpifje e deri te sulmet fizike;
- Për Albinin, shteti i Kosovës ishte shtet i dështuar, shtet i mafias e krimit të organizuar dhe duhej Republika e tretë, apo kur gjente të marrë që e besonin edhe Bashkimin Kombëtar;
- Çdo njeri ishte dhe vazhdon të jetë kriminel dhe i korruptuar nëse nuk është Vetëvendosje. Çdo kriminel dhe i korruptuar nuk është kriminel as i korruptuar nëse mbështet apo është pjesë e Vetëvendosjes;
- Flasin dhe piskasin për “Patriotizëm” e më së shumti ai dhe plot si ai që as vet e as familjet e tyre kurrë tokën e Kosovës nuk e kanë larë me asnjë pikë gjaku e kurrë nuk e kanë shijuar asnjë vuajtje nga okupatori dhe kurrë historikisht asnjë shkrepje plumbi kundër armikut as nga ata as nga familjet e tyre nuk e kanë bërë;
- Gjithçka ishte për pushtet! Do të mbetet njollë në ndërgjegjen e tij se ai dikur dërgoi njerëz në vdekje për të kërkuar pavarësi për Kosovën në protesta edhe pse e dinte se pako e Ahtisarit parashihte pavarësinë e Kosovës.
Përndryshe, në pushtet është një njeri dhe një parti që çdo veprim e bëjnë gabim dhe në dëm të vendit.
Kurti ndoshta mendon se integrimi në strukturat euroatlantike bëhet duke i rrënuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet aleate të NATO.
Kurti ndoshta mendon se rritet siguria nacionale duke punuar kundër këshillave të miqve dhe partnerëve të vetëm që i kemi. Aq më tepër, ai iu ligjëron ndjekësve të vetë të verbër kinse po e mbron sovranitetin duke i kundërshtuar ata që na kanë mbështetur pa kushte në rrugën tonë drejt lirisë dhe pavarësisë.
Kurti ndoshta mendon se SHBA dhe BE (garantuesit e pavarësisë) duan të ofrojnë marrëveshje përfundimtare që e shkatërron shtetin e Kosovës por fati historik ishte i tillë që Albini do të mbrojë Kosovën nga Amerika, BE, opozita tradhtare, Shqipëria e miqësuar me Vuçiqin, partitë e korruptuara qeverisëse shqiptare në Maqedoni, portalet e shitura, gjyqësori i kapur, bizneset e korruptuara dhe në fund pak edhe nga Serbia dhe Putini.
Kurti po provon ta bind botën se e promovon fjalën e lirë duke i anatemuar, bojkotuar dhe luftuar mediat e pavarura.
Kurti provon ta luftojë korrupsionin duke e sulmuar sistemin e drejtësisë dhe opozitën, ndërsa refuzon të niset nga vetja e tij dhe bashkëpunëtorët e afërt.
Kurti pretendon ta rrisë sigurinë e brendshme duke i ulur pagat policëve. Policët e Kosovës janë të mbingarkuar, të pamotivuar dhe stafi komandues në mënyrë permanente nën presion të “dëgjueshmërisë” së urdhërave që vijnë qoftë nga Ministria, qoftë nga Belvederja, qoftë nga zyra relevante e Lëvizjes Vetëvendosje.
Reformat në arsim nuk janë reforma por masa kundër mësuesve, kundër nxënësve e prindërve e të mos flasim për sindikatat.
Kurti pretendon ta zhvillojë ekonominë duke u sulur kundër ndërmarrësve e bizneseve. Asnjë masë ekonomike që hap tregun e Kosovës por vetëm masa që “disiplinon” shpirtin afarist të shqiptarit. Kurrë asnjë Qeveri as në Kosovë as në rajon nuk i ka konsideruar bizneset si oligarkë e kriminelë potencialë në mënyrën siç i sheh Albini dhe Vetëvendosje
Asnjë investitor serioz dhe më e keqja asnjë vizitë investitorësh serioz që nga viti 2020. U dëbuan Amerikanët me Kosovën C, u anulua projekti Amerikan i gazit. Nuk u vazhdua asnjë kontratë rrugore me asnjë kompani Amerikane dhe sot në Kosovë kompanitë Amerikane nuk ekzistojnë. Kosova është vendi më joatraktiv për investime të jashtme nga të gjitha vendet e rajonit. Nuk ofron por dëbon investitorë.
Kurti sivjet po e harton buxhetin e pestë, të përsëritur me investimet më të ulëta kapitale në 16 vitet e fundit. Projektet e nisura kane mbetur kantiere, në dëm të qytetarëve dhe të ekonomisë.
Madje madje, Kurti pretendon t’i afrojë shqiptarët duke i rrënuar marrëdhëniet me Shqipërinë. Dikur mashtronte duke festuar “Ditët e Çamërisë” rrugëve të Prishtinës, sot pjesën më të madhe të vizitave jashtë vendit gjatë mandatit të tij e kaloi në rivierën Greke larg nga Durrësi e Vlora heroike edhe më larg nga ideali për të cilin njerëzit e tij mbase edhe ishin gati të flijoheshin
Në dialog Kurti është gjithçka përveç negociator. E filloi vrullshëm me ligjërata lloj lloj prej Revolucionit Francez e vazhdoi deri te teoritë për riorganizim të Ballkanit Perendimor (nga CEFTA në SEFTA), sfidoi strategjinë e zgjerimit të NATO’s, tentoi rikomponimin e grupit negociator serb për të zhdukurit, zbuloi se Escobar dhe BE po e shtyjnë agjendën e Vuçiqit, se nga Kosova po kërkohet të paguajë për afrimin e Serbisë me BE, e plot teori të tjera.
Përfundoi dhe u tërhoq me” bisht nën shalë” në tentimin për imponim të targave të Kosovës në Veri, demonstroi dhe zyrtarizoi debaklin total të Kosovës në integrim të minoriteteve me zgjedhjet në veri, humbi përkrahjen ndërkombëtare dhe i solli sanksione Kosovës nga BE me dëme tepër të rënda. Na izoloi, na barazoi në sytë e botës me rolin dekonstruktiv të Serbisë, duke qenë plotësisht e pavërtetë.
Kurti është totalitar, një politikan që nuk duron mendim ndryshe.
Për të, përgjegja ndaj mendimeve ndryshe apo edhe kundër fakteve që e demaskojnë nuk janë kundërargumentet por linçimi, kundër kujtdo.
Kurti është në funksion të rrënimit të urave të miqësisë që shqiptarët me shumë mund arritën t’i krijojnë në 30 vitet e fundit.
Kurti është kundër demokracisë dhe cilitdo element shtyllë të saj. Ai është kundër Kosovës.
ÇKA TASH?
Në rrugën e gabimeve kurdo që ndalesh je në fitim, thotë populli.
- Nuk bën pa hy në NATO. Hyrja në NATO përmbyll përgjithmonë kërcënimet klasike të sigurisë nacionale;
- Nuk bën pa e rritë presionin për arritje të marrëveshjes përfundimtare me Serbinë për njohje reciproke. Dialogu nuk bëhet për Francën as për BE e as për SHBA. Që të gjitha këto, mirëqenien e qytetarëve të vetë e kanë të pavarur nga dialogu Kosovë-Serbi. Kosova nuk e ka;
- Nuk bën pa i’u rikthyer partneritetit dhe këshillimit të sinqertë me miqtë e vetëm që i kemi;
- Nuk bën pa u besuar atyre që u besuam në Rambuje dhe në Vjenë. Janë të njëjtit;
- Nuk bën që në dialog të sillemi si superfuqi dhe me metoda dhe retorikë populiste të synohet ikja nga obligimet ndërkombëtare;
- Nuk bën kurrë të merren obligime me idenë që gjatë rrugës të bishtnohen ato;
- Nuk bën të sulmohet sistemi i drejtësisë nga qeveria çdoherë kur zyrtarët e VV-së janë subjekt i saj. Ligji mbi të gjithë pra, edhe mbi Albinin dhe Vetëvendosjen;
- Lufta kundër korrupsionit është luftë kundër të korruptuarve e jo luftë për ndërrimin e xhepave të të korruptuarv;
- Nuk bën dhe nuk guxon Kosova “të tubojë e mbyllë para në bugjet të shtetit” përderisa rritja e konsumit dhe nevojat për investime publike janë si kurrë më të domosdoshme;
- Nuk bën të kërkosh shërbim maksimal, lojalitet dhe profesionalizëm nga policia dhe shërbyesit civil, e pagat e tyre të jenë ende në nivelin e vitit 2016;
- Nuk bën të mashtrosh njerëzit se kemi rritje ekonomike të “paparë” përderisa ajo është vetëm 3%, kurse rritja e çmimeve dhe kostoja e jetës është pothuajse e papërballueshme;
- Nuk bën të krekosesh se kemi pamundësuar ndërtimin e Kosovës, e brenda një viti të rritësh dy herë çmimin e energjisë elektrike;
- Nuk bën të trajtosh bizneset si kriminelë potencialë por si partnerët më të mirë të qeverisë. Sa më mirë që janë afaristët, aq më shumë do të investojnë dhe krijojnë vende të reja pune;
- Nuk bën të mashtrosh popullin sepse mjegulla një ditë do të largohet por pasojat për shumë kohë do të mbesin.
Kosovës t’i dalim zot!
(Autori është kryetar i AAK-së)