Lajme

Kosovës po i ikin infermierët, për dy muaj rreth 200 infermierë synojnë tregjet e huaja

03/29/2023 17:48
nga:G B

Vetëm në dy muajt e fundit janë rreth 200 infermierë nga Kosova që po synojnë tregjet e huaja.

E Blerim Morina, infermier që 18 vjet në Kirurgji në kuadër të QKUK-së është një prej atyre që mendojnë ta braktisin vendin, shkak kushtet e punës.

“Qysh po na trejtojnë, qysh po punohet edhe qysh po angazhohet Qeveria për këtë infermieri, mendoj edhe shumë shpejt besoj që në të ardhme do të iku edhe unë për jashtë”, tha ai për RTV21.

Morina theksoi se QKUK po përballet me mungesë të stafit, ku një infermier duhet të kujdeset për 15 pacientë.

Ai u shpreh se në dy muajt e fundit janë lëshuar rreth 200 vërtetime nga QKUK-ja, që nevojiten në plotësimin e dokumenteve për t’u punësuar jashtë Kosovës.

Paga bazë e një infermieri në Kosovë është rreth 400 euro në muaj. Ndërsa, paga e infermierit në Gjermani është rreth 2.400 euro në muaj. Gjermania është bërë destinacion për shumë mjekë dhe infermierë nga Kosova.