Opinion

Kosovë-Serbi: Marrëveshje ose Marrëveshje!

10/23/2023 12:09
nga:Baton Haxhiu

Ngjarjet e 24 shtatorit në Banjskë kanë ndikuar në shumë gjëra. Megjithatë përkundër vrazhdësisë së incidentit, nuk ka ndikuar dhe nuk mund të ndikojë në thelbin e procesit. Marrëveshja e Ohrit për zbatimin e Marrëveshjes Themelore ende qëndron dhe të dyja palët, Kosova dhe Serbia, duhet ta zbatojnë atë.

Burimet e AP, të përfshira në procesin e menaxhuar nga “pesëshja e madhe”, tregojnë që faktori perëndimor nuk e pranon si valid pohimin e palës kosovare “së pari siguria, pastaj dialogu”.

Sipas këtyre burimeve, shqetësimet e sigurisë së Kosovës, që janë ngritur pas ngjarjeve të Banjskës, adresohen më së miri vetëm përmes zbatimit të Marrëveshjes Themelore. Zbatimi i Marrëveshjes Themelore i hap rrugën integrimit euroatlantik të Kosovës si korniza e vetme e qëndrueshme e sigurisë për Kosovën.

Sipas burimeve të AP-së, kjo gjë i është bërë e qartë krerëve shtetëror të Kosovës. Pra, nëse Kosova synon të jetë brenda arkitekturës euro-atlantike të sigurisë atëherë për Kosovën nuk ka rrugë tjetër pos zbatimit të marrëveshjes.

Burimet e AP më tutje shpjegojnë që autoritetet në Serbi tashmë e kanë kristal të qartë që sulmi në Bansjka, dhe përpjekja për të nxitur një kryengritje të armatosur në veriun e Kosovës, ka shkelur një vijë të kuqe shumë të rëndësishme për komunitetin perëndimor.

Sipas këtyre burimeve, me 29 shtator 2023, Beogradi e ka mësuar qartë e mirë që NATO nuk do të hezitojë të përdorë forcën si përgjigje ndaj çdo akti të agresionit kundër Kosovës. Sipas këtyre burimeve, te autoritetet në Serbi tani nuk ka asnjë dromcë vullneti për çfarëdo marrëzie kundër Kosovës.**

Të pyetur rreth mundësisë që kryeministri Kurti të provokojë ndonjë konfrontim të ri në veri të Kosovës, si manovër për t’i ikur zbatimit të marrëveshjes, një teori që trumpetohet së fundmi, burimet e AP-së nuk e përjashtojnë si mundësi teorike, por tërheqin vërejtjen që situata tani është thellësisht e ndryshme prej asaj gjatë muajit shtator.

Sipas këtyre burimeve, para ngjarjeve të Banjskës, te pala serbe, ka ekzistuar vullneti për të eksperimentuar me situatën, rrjedhimisht ka ekzistuar edhe vullneti për konfrontim dhe tensione. Burimet e AP-së pohojnë që kjo gjë më nuk ekziston dhe që pala serbe do t’i shmanget me çdo kusht çfarëdo lloj konfrontimi dhe eskalimi.

“Në këtë situatë hipotetike, pasi që te serbët më nuk ka vullnet për asnjë eksperimentim me tensione, zotëri Kurti mund të konfrontohet vetëm me komunitetin perëndimor”, thotë burimi i AP-së.

Por çfarë ka prezantuar pesëshja e madhe? Çfarë është i ashtuquajturi plan i ri?

Nuk ka asnjë plan të ri. Tani, pas ngjarjeve në Banjska, dhe mësimeve që të gjithë kemi marr, ka vetëm plan të qartë për të ecur para, me hapa të sigurt dhe të vendosur. Sipas marrëveshjes bazë, Kosova duhet të ndërmarr hapa konkret për të demonstruar vullnetin dhe gatishmërinë e vet për të jetësuar instrumentet e vetëmenaxhimin për komunitetin serb.

Sipas marrëveshjes bazë, Serbia duhet të tregojë me hapa konkret që e respekton funksionimin e Kosovës si një realitet i veçantë juridik dhe politik. Lidershipi politik në Prishtinë duhet të demonstrojë me hapa konkret vullnetin e sinqertë për të organizuar zgjedhje të lira në komunat veriore.

Lidershipi politik në Beograd duhet të demonstrojë me hapa konkret vullnetin e sinqertë për të inkurajuar serbët e Kosovës për t’u përfshirë në jetën politike dhe institucionale në Kosovë, në përputhje me kornizën ligjore në fuqi në Kosovë.

Kjo e fundit nënkupton që Beogradi duhet të kujdeset që rikthimi i serbëve në institucione duhet të jetë i sinqertë dhe tërësisht në funksion të përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe jo thjesht sa për sy e faqe. Dhe, për t’u bërë e gjithë kjo, palët e kanë të domosdoshme të përmbahen nga deklarimet e pamatura që mund të antagonizojnë palët.

Paralel me hapat konkret për jetësimin e instrumenteve të vetëmenaxhimit dhe rikthimin e serbëve të veriut të Kosovës në jetën politike dhe institucionale të Kosovës, BE do të largojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës. Krahas këtij zhvillimi, do të ketë edhe hapa të tjerë konkret drejt theksimit të asaj që tashmë njihet si “njohje de facto”. Pra, Kosovës do t’i krijohet mundësia që të zhvillojë profilin e vet ndërkombëtar e papenguar nga Serbia”.

Me fjalë të tjera, sipas asaj që ka mësuar AP, pesëshja e madhe ka prezantuar vetëmenaxhimin e komunitetit serb dhe de-eskalimin e plotë në veri, të dyja të zbërthyera në hapa konkret, si obligim i Prishtinës, përballë njohjes de facto, e zbërthyer në hapa dhe terma përkatës konkret, si obligim i Beogradit.

Pastaj, Kosova ka përfitimet e veta të veçanta nga bashkësia ndërkombëtare dhe Serbia i ka të vetat. Aktualisht, askush nuk ia kërkon Serbisë që ta njohë de-jure Kosovës, por të dy palëve iu është bërë e qartë që zbatimi i marrëveshjes bazë është vetëm fillimi.

Nëse Kosova dhe Serbia vërtet duan të jenë pjesë e BE-së në ndërkohë duhet të vazhdojnë drejt normalizimit të plotë, dhe që është njohja e plotë e ndërsjellë, kurdo që ajo të ndodhë.